RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti takon presidenten Fon der Lajen: Hiqni masat e padrejta kundër nesh

26/10/2024

Kurti takon presidenten Fon der Lajen: Hiqni masat e padrejta kundër nesh

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen, deklaroi në Kosovë se së bashku "do të punojmë hap pas hapi për të ardhmen europiane" të vendit.

Pas një takimi në kryeministri me kreun e qeverisë, Albin Kurti, ky i fundit u zotua se kabineti i tij do të zbatojë të gjitha reformat që parashikon projekti i Planit të Rritjes.

"Në takimin tonë të katërt në godinën e qeverisë së Kosovës, falënderova presidenten e Komisionit të BE-së, Fon der Lajen, për lidershipin e saj në avancimin e Planit të BE-së për Rritjen, nga një ide në një agjendë reformuese brenda 17 muajve.

Gjithashtu përsërita rëndësinë e dorëzimit të pyetësorit për anëtarësimin dhe kërkova heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave të pandershme dhe të padrejta të BE-së.

Në një kohë kur autokracitë sfidojnë liritë universale, Kosova mbetet një mbrojtësja kryesore në Ballkanin Perëndimor për vlerat themelore të BE-së," shkroi z. Kurti në rrjetin "X".

Presidentja Fon der Lajen më herët takoi kryetaren e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmanin. I njëjti mesazh për heqjen e masave ndëshkuese për shkak të tensioneve me Serbinë u deklarua edhe nga znj. Osmani në konferencën e përbashkët për shtyp.

Kosova është vendi i parafundit i rajonit që presidentja Fon der Lajen viziton në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.

Turi filloi nga Shqipëria me takimet me kryeministrin Edi Rama dhe një ditë më pas me presidentin e vendit, Bajram Begaj.

Pas Kosovës, znj. Fon der Lajen do të shkojë në Mal të Zi për t'u pritur nga krerët e lartë të shtetit.

/rtsh.al/