RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti-Stoltenberg: Të rritet siguria në kufirin Kosovë-Serbi, të dalin konkluzionet e hetimeve për sulmin në Banjskë

21/11/2023

Kurti-Stoltenberg: Të rritet siguria në kufirin Kosovë-Serbi, të dalin konkluzionet e hetimeve për sulmin në Banjskë

Roli historik i NATO-s në Kosovë, zhvillimet e fundit Prishtinë-Beograd dhe kontributi i vazhdueshëm i misionit të KFOR për sigurinë dhe paqen, ishin temat kyçe në takimin e zhvilluar mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Kurti ka njoftuar Stoltenberg për mbarëvajtjen e takimit të zhvilluar në Bruksel me presidentin serb Aleksandër Vuçië dhe qëndrimin e qeverisë së Kosovës kundrejt planit evropiano-amerikan për rrugën përpara drejt zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike.

Në këtë kuadër, Kurti vuri theksin te rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe, ndërsa propozoi hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO.

“Falënderues për mikpritje, Sekretari Stoltenberg shprehu mirënjohjen e tij për koordinimin e institucioneve të sigurisë me KFOR-in, si dhe për mbështetjen që Qeveria dhe Republika e Kosovës i ka dhënë Ukrainës në përballje me agresionin ushtarak të Federatës Ruse, teksa sulmin e 24 shtatorit në Banjskë e quajti të tmerrshëm dhe të papranueshëm”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri Kurti ndau me Sekretarin e NATO-s, Stoltenberg rezultatet e gjetura nga procesi i hetimeve të institucioneve vendore të sigurisë mbi rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, por edhe mbi rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës, me 14 qershor, që sipas Kurtit, konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë.

Kryeministri tha se këto dy raste dëshmojnë nevojën për të rritur sigurinë sidomos përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa i bëri thirrje Sekretarit që NATO gjithashtu të dalë sa më parë me konkluzionet e hetimeve të saj të pavarura mbi rastin e rrëmbimit kriminal të tre policëve të Kosovës dhe sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

/rtsh.al/