RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti shkon në veri nën masa të rrepta sigurie, viziton Leposaviqin dhe Zubin Potokun

03/04/2024

Kurti shkon në veri nën masa të rrepta sigurie, viziton Leposaviqin dhe Zubin Potokun

Nën masa të rrepta sigurie, kryeministri I Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i pushtetit lokal Elbert Krasniqi, vizitoi të mërkurën komunën e Leposaviqit në veri të vendit, që banohet me shumicë serbe.

Kurti është takuar me kryetarin e komunës Lulëzim Hetemi dhe më pas iu drejtua komunës së Zubin Potokut ku mori pjesë në vendosjen e pllakës përkujtimore në nderim të oficerit të policisë Enver Zumberi vrarë në vitin 2011 në një fshat të asaj komune.  

Kurti është takuar edhe me kryetarin e Zubin Potokut në godinën administrative të asaj komune.  Në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e veriut, katër komuna me shumicë serbe në veri, në datën 21 prill do të mbahet votimi për shkarkimin e kryetarëve aktualë, të dalë nga zgjedhjet e prillit të vitit të shkuar që u bojkotuan nga serbët. 

Vizita e Kurtit në veri të vendit u zhvillua në një situatë sërish të tensionuar mes Prishtinës dhe Beogradit, për shkak të rregullores të Bankës Qendrore të Kosovës e cila përcakton euron sit  ë vetmen monedhë për t’u përdorur për pagesat me para në dorë në vend, çka nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Nga kjo rregullore janë prekur veçanërisht anëtarët e komunitetit serb që marrin pagesa , ndihma dhe asistencë financiare në dinar nga Serbia. Aktualisht Prishtina dhe Beogradi janë në bisedime që po zhvillohen në Bruksel për këtë çështje.

Gazetar: E. Pepa

/RTSH/