RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti përkujton heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu: Ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës

02/11/2024

Kurti përkujton heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu: Ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar heronjtë Afrim Zhitia e Fahri Fazlium në 35 vjetorin e rënies heroike të tyre.

35 vjet më parë, pas mbi gjashtë orë luftimesh në lagjen “Bregu i Diellit”, tek hyrja e 3-të e bllokut të 3-të, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, Kurti tha se ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për dëbimin e forcave okupatore e armike serbe nga atdheu ynë.

“Afrimi edhe Fahriu ishin udhëheqës të Lëvizjes Popullore asokohe dhe pikërisht me ta udhëheqja e organizatës dhe udhëheqja e aktiviteteve bëhej nga brenda Kosovës e jo më prej jashtë sikurse deri atëherë”, shkroi Kurti në Facebook.

Ai u shprh se viti 1989 ka qenë vit i demonstratave shumë të fuqishme dhe shumë të shpeshta gjithandej Kosovës. “Një ditë para se të bien heroikisht kanë marrë pjesë në demonstratën e 1 nëntorit 1989, me ç’rast masës së demonstruesve i është drejtuar Afrim Zhitia”.

“Në Kosovë po fillonte aparteidi i Serbisë pas okupimit klasik që e pasoi heqjen edhe të asaj autonomie që kishim, ndërkaq Evropa po çlirohej sepse një javë më vonë do të shembej muri i Berlinit”.

Kur Evropa po çlirohej nga diktatura dhe po bashkohej, kryeministri rikujtoi se në Kosovë po niste aparteidi.

“Ato kanë qenë rrethana tejet të vështira, të paimagjinueshme për neve sot dhe në ato rrethana janë kalitur veprimtarët më të denjë, luftëtarët më të paepur dhe heronjtë e popullit tonë, çfarë janë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe shumë e shumë të tjerë pastaj që do të vazhdojnë rrugën e tyre deri tek kryengritja gjithëpopullore e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, shtoi.

Kreu i ekzekutivit pohoi se nuk e harrojnë asnjëherë prej nga vijnë, dhe njëkohësisht “nuk e harrojmë që pjesën më të madhe të punës dhe kryesore e kanë kryer dëshmorët e kombit”.

“Ndërkaq, neve të tjerëve na ka ngelur një pjesë e rëndësishme e punës, por megjithatë shumë më e vogël sesa e tyre, dhe ajo çfarë duhet të bëjmë tash, është që të japim maksimumin me krejt çfarë mundemi e dimë në rrugën që na e kanë ndriçuar ata”.

“Lavdi Afrim Zhitës, Fahri Fazliut e gjithë dëshmorëve të kombit!”, përfundoi ai.

Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun i kujtuar edhe bashkëveprimtari i tyre, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Përmes një postimi në Facebook, ai tha se Zhitia dhe Fazliu ranë në piedestalin e lirisë.

Ndër të parët që nisën ortekun e luftës çlirimtare të kombit shqiptar, ish-Komandanti Suprem i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), theksoi se Afrimi e Fahriu, ishin busollë orientimi dhe veprimi kombëtar për të gjithë atdhetarët  ndër vite.

 

/rtsh.al/