Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dërguar një letër shefit të OSBE-së me mision në Kosovë, Michael Davenport ku kërkon nënshkrimin e një marrëveshje të posaçme me Serbinë, si dy shtete të pavarura, në mënyrë që t’u mundësohet serbëve të Kosovës që kanë nënshtetësi të dyfishtë, të votojnë për zgjedhjet parlamentare në Serbi.
“Lidhur me çështjen e bashkëpunimit ndërshtetëror për votimin jashtë vendit, me qëllim që të mundësohet qytetarët e komunitetit serb në Kosovë me shtetësi të dyfishtë të votojnë në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, është e nevojshme një marrëveshje e veçantë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për këtë marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë e tillë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtet i barabartë, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Themelore të arritur këtë vit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën që Kurti i ka kthyer shefit të OSBE-së.
Sipas Kurtit, këto kushte inkurajojnë Serbinë që të negociojë një marrëveshje me Kosovën, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Themelore, si “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe reciproke dhe të drejtat e votuesve jashtë vendit”.
Reagimi i Kurtit ka ardhur pasi më parë OSBE ka ndërmjetësuar për votimin e serbëve të Kosovës për zgjedhjet në Serbi. Por, kjo praktikë u ndërpre nga ardhja e Kurtit në qeveri, i cila nuk u lejoi serbëve kosovarë të votojnë për zgjedhje në Serbi pa marrëveshje reciproke.
Në zgjedhjet e fundit, serbët e Kosovës u organizuan me autobusë e vetura për të votuar në komunat afër Kosovës.
/rtsh.al/