Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur deklaratës së BE-së, e cila kërkoi një periudhë më të gjatë tranzicioni për çështjen e dinarit.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se “kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”.
Këto komente Kurti i bëri gjatë një ceremonie homazh pranë kompleksit memorial në Lupç të Poshtëm, me rastin e 34-vjetorit të rënies së dëshmores Elfete Humolli.
“BQK është institucion i pavarura i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”, deklaroi Kurti.
BE-ja kërkoi nga Kosova të enjten të garantojë një “periudhë mjaft të gjatë tranzitore” për zbatimin e rregullores së ndryshuar të BQK-së, ngase sipas 27 shteteve anëtare të bllokut, implementimi i menjëhershëm rrezikon të ndërlikojë jetën e pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë në vend, veçanërisht të serbëve për shkak të “moskonsultave paraprake”.
/rtsh.al/