Përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqipërisë kanë informuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi para Kryeministrisë, i cili do të mbahet sot nga ora 17:00 deri në orën 20:00. Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa për garantimin e rendit publik, mbrojtjen e lirive të qytetarëve dhe pjesëmarrësve, si dhe ruajtjen e pronës publike dhe private.
Për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit, do të ketë kufizime në lëvizjen e automjeteve në disa akse dhe segmente rrugore. Këto kufizime do të hyjnë në fuqi:
Nga ora 10:00, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", sheshin "Nënë Tereza", rrugën "Ismail Qemali", si dhe në disa akse të tjera përreth zonës së tubimit.
Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi "Nënë Tereza", si dhe në rrugët "Ukraina e Lirë", "Papa Gjon Pali II" dhe "Ismail Qemali".
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të tjera të qarkullimit të automjeteve në akse të tjera. Policia ka marrë masa për devijimin e trafikut në rrugë alternative dhe apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse dhe të përdorin rrugë të tjera për të lehtësuar qarkullimin.
/rtsh.al/