RTSH 24 Live

Kosovë

Kuçi deklarohet i pafajshëm, ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës akuzohet për ndikim mbi dëshmitarët

09/12/2024

Kuçi deklarohet i pafajshëm, ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës akuzohet për ndikim mbi dëshmitarët

 “Jam plotësisht i pafajshëm. Ky është një prej momenteve të errëta për mua si njeri i drejtësisë, që e ka profesion dhe mision të jetës dhe jam identifikuar me drejtësinë”. Kështu u shpreh ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës Hajredin Kuçi në daljen e parë para Gjykatës Speciale në Hagë, e cila e akuzon  për ndikim mbi dëshmitarët lidhur me një rast tjetër që po ndiqet penalisht nga kjo gjykatë Ai tha se këtë aktakuzë e konsideron si prekje të dinjitetit.

“Drejtësinë si profesion dhe mision do ta vazhdoj, dhe nga kjo e hënë edhe nga një pozicion tjetër. Më vjen keq për shqetësimet që u ka sjellë kjo akuzë anëtarëve të familjes sime”, tha mes tjerash Kuçi.

“Unë nuk kam kryer asnjë vepër penale. Jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat, ku jam përfshirë bashkë me presidentin Hashim Thaçi. Këtë të fundit e kam mik, njihemi prej vitesh dhe kemi punuar gjatë dhe kemi drejtuar mbi parimin e drejtësisë, respektimin e saj dhe kemi besuar në të”, shtoi ish-ministri.

Prokuroria Speciale tha se me vonë gjatë ditës do të bëjë kërkesë që Kuçit t’i ndalohet komunikimi me personat që janë pjesë e aktakuzës dhe janë të dyshuar se kanë lidhje me këtë çështje. Pjesë e aktakuzës janë edhe ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj dhe ish-anëtari i UÇK Fadil Fazliu.

Isni Kilaj do të paraqitet në gjykatë më vonë gjatë ditës lidhur me akuzat ndaj tij, ndërsa Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan të dielën lidhur me akuzat e reja që rëndojnë mbi ta, ndërsa Fdil Fazliu u deklarua i pafajshëm.

/RTSH/