RTSH 24 Live

Politikë

Kryesia e PL-së, Meta: Fake-opozita, zgjatim dhe bisht i Edi Ramës

18/09/2023

Kryesia e PL-së, Meta: Fake-opozita, zgjatim dhe bisht i Edi Ramës

Partia e Lirisë zhvilloi të hënën mbledhjen e kryesisë. Kryetari i PL-së, Ilir Meta, në fjalën e tij, ngriti akuza ndaj qeverisë, duke nënvizuar se përgjegjësia bie edhe mbi opozitën dhe rolin e saj në shoqëri për kthimin e kushtetuetshmërisë në vend. Kreu i PL-së, në fjalën e tij, rikujtoi edhe një herë aferën e inceneratorëve.

“Vendi është në dorën e një qeverisjeje të inkriminuar, ndaj përgjegjësia bie tek opozita për rikthimin e rendit kushtetues. Afera e inceneratorëve është e njohur botërisht në sajë të kontributit koherent dhe të vazhdueshëm të Partisë së Lirisë”,- tha Meta.

Lidhur me angazhimin politik të PL_së, Meta theksoi se “Partia e Lirisë, si një forcë e vendosur opozitare, do ketë një raport besnik me çdo faktor tjetër opozitar të sinqertë dhe që vendos interesin publik dhe kombëtar mbi atë parcial”.

“Kemi sakrifikuar për të mbrojtur opozitarizmin nga fake-opozita, si zgjatim dhe bisht i Edi Ramës, e cila ka minuar sistemin e balancës mes pushteteve. Ky raport i Partisë së Lirisë me opozitarizmin e vërtetë do jetë konsistent dhe do t’i prijë parimeve të sinqerta opozitare për të shpëtuar vendin nga duart e mafias.”,- u shpreh Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë lëshoi akuza edhe për operacionin policor “Tempulli”. Sipas tij, operacioni me mbi 200 të arrestuar kishte si qëllim shfokusimin e vëmendjes së opinionit publik nga operacioni policor për arrestimin e Amant Josifi, për llogari të drejtësisë spanjolle.

“Një përpjekje e madhe propagandistike, për të shmangur, arrestimin nga autoritetet spanjolle të një ish-këshilltari të ish-ministres së Mbrojtjes dhe mik të vëllait të kryeministrit. Atë që s’e bëri shteti i kapur nga Edi Rama e bënë autoritetet spanjolle, pasi atje ka vullnet për të goditur krimin e organizuar. Kjo tregon se kush është i lidhur me kreun e qeverisë gëzon anashkalimin e drejtësisë dhe institucioneve të së drejtës ”, nënvizoi Meta.

/rtsh.al/