RTSH 24 Live

Zgjedhje 2021

Kryeministri Rama sërish akuza Berishës dhe Metës për bllokimin e Rinasit

08/04/2021

Kryeministri Rama sërish akuza Berishës dhe Metës për bllokimin e Rinasit

Kryeministri Edi Rama, ka komentuar sërish grevën e kontrollorëve të trafikut ajror në Rinas, që paralizoi fluturimet në të gjithë Shqipërinë. Nga Gjirokastra, kryeministri tha se bëhej fjalë për një skenar të përgatitur nga presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha, por që nuk i kishin bërë mirë llogaritë.

“E patë se çfarë ndodhi dje? Një goditje e çmendur ndaj një prej aktiviteteve kyçe në vend, qarkullimi ajror. U rrezikua procesi i vaksinimit. Llogaritë ishin bërë në mënyrë shumë djallëzore, sepse mendonin se zëvendësimi i kontrollorëve kërkon kohë. Por nuk i kishin bërë hesapet mirë. Vaksinat u vonuan për fat të keq. Humbem një ditë. Ama, sot, tani, vaksinat erdhën. Kaluam gjithë natën duke luftuar që të mos iknin në një drejtim tjetër. Se shumë nuk e kuptojnë. Kacafytja për vaksinat, është botërore. Si mund t’ua argumentosh se kemi një president dhe ish-president që janë futur në një çmenduri për të bllokuar aktivitetin ajror të të gjithë vendit? Ne do të vazhdojmë vaksinimin. Do e nxjerrim Shqipërinë nga tuneli sfilitës i pandemisë.”, deklaroi Rama.