RTSH 24 Live

Aktualitet

Himarë- Aksidentoi për vdekje me skaf të miturën, prokuroria kërkon 15 vite burg për ish policin, Arjan Tase

08/05/2024

Himarë- Aksidentoi për vdekje me skaf të miturën, prokuroria kërkon 15 vite burg për ish policin, Arjan Tase

Prokuroria e Vlorës kërkoi të mërkurën deklarimin fajtor të ish- policit Arjan Tase dhe dënim me 15 vite burg për ‘Vrasje me Dashje’, lidhur me aksidentin tragjik në Potam të Vlorës, humbi jetën e mitura, Jonada Avdiaj.

Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri Arjan Tase, ka qenë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij J.A., mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorët e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin, e cila ndërroi jetë në moment.

Në lidhje me të pandehurin, nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, vëzhgimi i vendit të ngjarjes, e pamjeve të filmuara, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte.

“Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri Arjan Tase, ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’.”, thuhet në pretencën e prokurorisë së Vlorës.

Ngjarja që tronditi vendin

Jonada Avdiaj ishte një fëmijë rreth 7-vjeç. Ajo humbi jetën rreth 2 vite më parë, pasi u godit nga një gomone  në plazhin e Potamit në Himarë. E mitura Jonada Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në Plazhin e Potamit. Fëmija ishte me origjinë nga Tropoja dhe jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime.

Drejtuesi i gomones ishte ish polici që punonte në Elbasan, i identifikuar si Arjan Tase. Ai u shoqëruar në polici ku drejtuesi i prokurorisë, Aurel Zarka ka urdhëruar arrestimin e tij. 

Tase ka qenë edhe shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni kundër- drogë, megjithatë, u rikthye sërish në Polici.

Ai edhe pse pa patentë po drejtonte mjetin lundrues tip Gomone, me dy motorë 2 x 300 hp rreth 7 m me emrin "Nëna 154" i cili ka qenë edhe me dy persona të tjerë në bord.

/rtsh.al/