RTSH 24 Live

Aktualitet

Kryeministri Rama: Kush nuk kthehet në punë nesër, s'do gjejë më vend në Albcontrol!

07/04/2021

Kryeministri Rama: Kush nuk kthehet në punë nesër, s'do gjejë më vend në Albcontrol!

Kryeministri Edi Rama, u ka bërë thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që të ndahen nga organizatorët  e grevës që i futën në këtë lojë të rrezikshme dhe tashmë do të përballen me ligjin. Zoti Rama bën apel se kush nuk kthehet nesër në punë nuk do të ketë më vend në AlbControl, pasi koha kur bëhej rrumpallë ka vdekur përgjithmonë.

"Apel për kontrollorët e Rinasit: Ndahuni nga ata që ju futën në këtë lojë të çmendur me zjarrin! Braktisini në rrugën e tyre qorre organizatorët e kallëzuar penalisht! Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol. Koha e Rrumpallës ka vdekur dhe nuk kthehet!", tha Rama.

Janë 65 punonjës të AlbControl, kontrollorët që kanë braktisur punën prej mëngjesit të sotëm, duke shkaktuar paralizimin e trafikut ajror në vendin tonë. Qeveria drejtoi gishtin nga opozita, duke hedhur akuza të rënda se po nxit këtë situatë, për të dëmtuar shtetin shqiptar si dhe për të rritur pakënaqësinë te qytetarët. Ministrja Belinda Balluku deklaroi se midis kontrollorëve, “janë 5 prej tyre që janë kthyer në masha të politikës”, por pa bërë me dije emrat.