RTSH 24 Live

Botë

Kryeministri australian: Me mbylljen e kufijve janë shpëtuar mbi 30 mijë jetë

28/09/2021

Kryeministri australian: Me mbylljen e kufijve janë shpëtuar mbi 30 mijë jetë

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison deklaroi se mbi 30 mijë jetë janë shpëtuar me mbylljen e kufijve të vendit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Duke folur për CBS News në SHBA, kryeministri Morrison bëri deklarata lidhur me mbylljen e kufijve ndërkombëtarë që nga marsi 2020 kur filloi të përhapet COVID-19.

Ai iu referua vdekjeve të 1.256 personave nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë e deri më tani në Australi. Morrison vuri në dukje se humbja e jetëve të regjistruara në Australi përjetohet në një ditë në SHBA.

Morrison tha se me mbylljen e kufijve të vendit mbrojtën jetët e njerëzve. "Ju them se mbyllja e këtyre kufijve shpëtoi mbi 30 mijë jetë në Australi. Sikur të kishim të njëjtën normë të vdekshmërisë me vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), kjo do të shkaktonte që në Australi të humbnin jetën mbi 30 mijë persona dhe ne kaluam në veprim për të shpëtuar jetë", theksoi Morrison.

Parashikohet hapja e kufijve përpara vitit të ri

Pas rastit të parë të COVID-19 që u regjistrua më 25 janar 2020 në Australi, kufijtë që u mbyllën në fund të muajit mars me përhapjen e virusit, mbahen ende të mbyllur me përjashtim për shtetasit dhe ata që kanë leje të përhershme qëndrimi.

Kryeministri Morrison ka thënë se për ata që kanë marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19 do të hapen kufijtë jashtë vendit përpara vitit të ri nëse në vend arrin në 80 për qind numri i personave të vaksinuar.

Norma e personave të vaksinuar me dy doza kundër COVID-19 në Australi ka arritur në 51.8 për qind ndërsa norma e atyre që kanë marrë një dozë në 76.1 për qind.

Norma e vaksinimit 80 për qind me dy doza e cila do të sigurojë hapjen e kufijve, synohet që të arrihet në fillim të muajit dhjetor.

Në Australi janë regjistruar gjithsej 100.799 raste të COVID-19 ndërkohë që nga virusi kanë humbur jetën 1.256 persona./AA