RTSH 24 Live

Botë

Kriza Rusi - Ukrainë, presidenti Biden: Pushtimi rus në shkurt, mundësi e dukshme!

28/01/2022

Kriza Rusi - Ukrainë, presidenti Biden: Pushtimi rus në shkurt, mundësi e dukshme!

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden paralajmëroi të enjten presidentin e Ukrainës se ekziston një "mundësi e dukshme" që Rusia të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës në muajin shkurt. 
Kremlini gjithashtu paraqiti një pamje të zymtë, duke thënë se shihte "pak vend për optimizëm" në zgjidhjen e krizës, kjo pasi SHBA-ja këtë javë, refuzoi sërisht kërkesat kryesore të Rusisë. 
Zyrtarët rusë thanë se dialogu ishte ende i mundur për t'i dhënë fund krizës, por Presidenti Biden ofroi një paralajmërim të qartë mes shqetësimeve në rritje se Presidenti rus Vladimir Putin, do të japë dritën jeshile për një pushtim të territorit ukrainas, në një të ardhme jo shumë të largët. 


Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se përgjigjja e SHBA-së ndaj kërkesave të saj "nuk ishte pozitive", por shtoi se disa elementë të saj mund të çojnë në "fillimin e bisedimeve serioze për çështje dytësore". 
Diplomati i lartë i Kremlinit tha se zyrtarët do t'i paraqesin propozime Presidentit Vladimir Putin. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha se Moska do të reagojë së shpejti, duke shtuar se "ka gjithmonë mundësi për të vazhduar dialogun. Është në interesin tonë dhe të amerikanëve". 


Ndërsa Shtëpia e Bardhë tha se komentet e Presidentit Biden gjatë një bisede telefonike me homologun e tij të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, përforcuan shqetësimet që zyrtarët e administratës kanë shtruar prej kohësh."Presidenti Biden tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt", tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Emily Horne."Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë për muaj të tërë", shtoi ajo.