RTSH 24 Live

Kosovë

Krime lufte dhe tortura, Gjykata Speciale dënon me 18 vite ish-ushtarin e UÇK, Pjetër Shala

16/07/2024

Krime lufte dhe tortura, Gjykata Speciale dënon me 18 vite ish-ushtarin e UÇK, Pjetër Shala

Gjykata Speciale në Hagë ka dënuar Pjetër Shalën me 18 vite burg për krime lufte dhe torturë gjatë Luftës së Kosovës.

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shpall fajtor nga Specialja për krimet dhe ndalimin arbitrar e të paktën 18 personave.

Prokuroria kishte kërkuar 28 vite burg për Shalën.

Organi akuzues tha se Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roja të UÇK-së mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 “morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në qytetin e Kukësit”.

Procesi gjyqësor kundër Shalës nisi më 21 shkurt 2023. Ai u arrestua në mars të vitit 2021 në Belgjikë dhe u transferua në paraburgim në Hagë, në prill të atij viti.

Të akuzuar për krime lufte janë edhe disa prej krerëve të UÇK-së, për të cilët ende vijon procesi gjyqësor: ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.

/rtsh.al/