RTSH 24 Live

Ekonomi

Krifca: Pikat e grumbullimit, domosdoshmëri për lehtësimin e fermerëve

17/05/2023

Krifca: Pikat e grumbullimit, domosdoshmëri për lehtësimin e fermerëve

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural paralelisht me rritjen e prodhimit bujqësor, po mbështet edhe shtimin e pikave të grumbullimit dhe agropërpunimit. Ato po ngrihen sipas standardeve më të mira, duke i shtuar vlerën produktit nga grumbullimi deri tek konsumatori final.

Ministrja  Frida Krifca tha se, “Skema Kombëtare e Mbështetjes, programi IPARD, është pikërisht instrumenti i duhur që mbështet uljen e kostove të prodhimit, rritjen e prodhimit bujqësor vendas dhe ngritjen e pikave të grumbullimit dhe agropërpunimit”.

“Investimet për krijimin e pikave të grumbullimit, hapësirat magazinuese dhe dhomat frigoriferike në ferma janë një domosdoshmëri për lehtësimin e punës së fermerëve dhe krijimin e kushteve të duhura për ruajtjen e produkteve” ka deklaruar zonja Krifca.

Ministrja vlerësoi se, rritja e numrit të pikave të grumbullimit ka një ndikim të rëndësishëm në shtimin e eksporteve të produkteve bujqësore, duke iu përgjigjur më së miri kërkesave për cilësi dhe siguri edhe në tregun e jashtëm.

Në sajë të programit IPARD II, në Shqipëri janë realizuar 76 investime për rritjen e kapaciteteve ruajtëse të produkteve bujqësore dhe blegtorale në ferma.

Ato kanë kontribuar në përmirësimin e standardeve dhe cilësisë së prodhimit.

Deri tani, vlera e grantit për këto sipërmarrje nga fondet e Bashkimit Evropian në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare kanë arritur në 24 milionë euro.

IPARD III pritet të shtojë masën e mbështetjes për investime të reja në qendra grumbullimi, përpunimi dhe paketimi të prodhimeve bujqësore.


/ rtsh. al /