RTSH 24 Live

Aktualitet

Kreu i turizmit Durrës: Turistët duan traditat dhe kulturën tonë, të rritet prodhimi vendas

26/07/2024

Kreu i turizmit Durrës: Turistët duan traditat dhe kulturën tonë, të rritet prodhimi vendas
Kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit në Durrës Eduart Xhepa

Durrësi është një nga qytetet më të mëdha bregdetare në vend duke pasur një fluks të lartë të turistëve. Me një vijë bregdetare të gjatë, Durrësi ofron gjithçka nga pushimet familjare, të rëra kurative e deri tek aventurat dhe sportet ujore, apo piknikët nën hijen e pishave në zonën e Currilave dhe Kallmit.

Kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit në Durrës Eduart Xhepa tha se qyteti ka tashmë të unifikuar paketat e saj turistike dhe ka një traditë të pritjes së turistëve dhe shërbimeve cilësore, por se sfidë vijon të mbetet rritja dhe përmirësimi i infrastrukturës, sinjalistikës dhe ndriçimit të rrugëve dhe zonave.

Në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri” më RTSH, Xhepa tha se turistët duhen pritur me kulturën dhe traditën shqiptare, pasi ata po vijnë në vendin tonë pikërisht për të njohur historinë shqiptare.

Gatimet tradicionale shqiptare janë ato që preferojnë turistët e huaj dhe për këtë, Xhepa tha se po kërkojnë gjithnjë e më shumë rritje të prodhimit vendas dhe të ketë sa më pak importe të produkteve ushqimore nga jashtë.

“Ne kemi turistë nga e gjithë bota dhe kjo është kënaqësi. Ne na takon që të jemi në nivel të lartë me shërbimet dhe të gjitha gjërat që ofron një paketë turistike. Ne jemi gjithmonë në kërkim të më të mirës dhe Durrësi është çdo vit në përmirësim të infrastrukturës, sinjalistikave, kualifikimit të stafeve. Ajo që kërkojmë që të përmirësohet më shumë është prodhimi vendas që të rritet në konsum prodhimi vendas dhe të minimizojnë importin e prodhime nga jashtë. Ndryshe nga Evropa jemi një vend me pozicion gjeografik shumë të mirë dhe klimë fantastike dhe një shtet që kemi traditën dhe kulturën tonë që duhet t’i ruajmë. Ne duhet të ruajmë modelin tonë turistik dhe të shërbejmë me mënyrën dhe traditën tonë se ai i huaj për atë vjen në Shqipëri për t’u njohur me kulturën tonë. Nuk vjen këtu që të na shohin si bëjmë ne si italian apo dikush tjetër. Ne duhet të ruajmë dhe tregojmë kulturën dhe historinë tonë.

Sa i përket burimeve njerëzore, kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit në Durrës u shpreh se kualifikimi i punonjësve vendas është investimi më i mirë në fushën e turizmit.  

“Do jemi gjithmonë në luftë me burimet njerëzorë, kështu është në gjithë botën. Kemi pasur takime me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit lidhur me procedurat e rekrutimit të punonjësve të huaja për specialitete të ndryshme që ne na mungojnë dhe na ka mbështetur dhe lehtësuar procedurat për të marrë të huajë. Mbështesja kryesore e jona është punonjësit vendas dhe për këtë arsye kemi arsimin profesional që të përmirësojë rritjen e  punonjësve vendas për t’u përgatitur për të gjithë sektorët profesional që ne kërkojmë. Qëllimi ynë është që paketat turistike duhet të jenë konkurruese më vendet e rajonit dhe Durrësi ka një specifik të veçantë që duke qenë qytet i madh dhe ka kapacitet dhe eksperiencë është më stabël lidhur me standardet e shërbimit dhe çmimet dhe se si është ndërtuar fusha e turizmit këtu. Kërkohet rritje e kualifikimit të punonjësve, ky është investimi më i mirë në fushën e turizmit”, tha ai.

Të cilësuar si ‘perlat’ e Adriatikut plazhi i Currilave dhe Kallmit për Xhepën janë të njohura jo vetëm për pastërtinë e ujërave, por edhe për vetitë kuruese të ajrit dhe rërës. Ai ka renditur disa arsye se pse këto dy plazhe po frekuentohen masivisht jo vetëm nga shqiptarët por dhe të huajt.

Plazhi i currilave është nostalgji për të gjithë shqiptare ka qenë një plazh ku njerëzit vinin jo vetëm për pushime dhe për kurime pasi ajri dhe deti kanë vlera kuruese. Me ardhjen e demokracisë zhvillimi i plazhit të currilave dhe kallmit ka sjellë përmirësime të rrugëve dhe të preferohet gjithnjë e më shumë. Kallmi dikur ka qenë i pa aksesushem pasi nuk ka pasur rrugë, por nga ana e bizneseve private janë bërë investime dhe sot ky plazh është mjaft i frekuentuara. Ky është një plazh ku uji është në nivelet maksimale të pastërtisë dhe të vlerave kuruese, por është dhe një plazh ku pranon aventurën dhe atë familjar është një kombinacion shumë i bukur ku të gjithë mund të ndihen shumë rehat. Këto janë plazhe të veçantë se vija bregdetare e Durrësit është shumë e madhe dhe ka një plazh ranor dhe me kapacitete të mëdha dhe përballon fluksin më të madh të turistëve. Këto janë të veçantë është se kodra është shumë afër me detin dhe e bën të ankueshëm duke ndenjur edhe në hijen e pishave. Plazhi i kallmit është eksplorua që nga të huaje dhe vendasit që nga fillimet e demokracisë dhe kjo ka bërë që dhe investimet të fokusohen në këtë zonë. Uji është shumë i pastër duke qenë se pjesa e currilave dhe kallmit është i dalë si cep, rrymat e ujit e bëjnë atë të pastër dhe ka bimësi dhe korale  në botën nënujore. Durrësi që i plotësin të gjitha dëshirat në 360 gradë. Infrastruktura duhet ndërhyrë, rruga ndriçimet që janë bërë disa por duhet parë edhe më shumë kjo pjesë”, tha Xhepa.

A ka turistë të zhgënjyer në vendit tonë? Për Xhepën kjo është më se normale edhe pse në përqindje të vogël. Ai thotë se duhet treguar kujdes me marketingun që të pasurohet se si është Shqipëria reale në mënyrë që turistët të mos kenë pritshmëri të tjera.

“90 % e turistëve ikin me përshtypjet më të mira, ndërsa 10 % ka dhe nga ata që nuk kanë marrë pritshmërinë që prisnin. Edhe në marketing duhet të jemi korrekt me atë që reklamojmë që turistët të shohin atë që ne ofrojmë dhe të mos krijojnë iluzione të tjera”, tha Xhepa.

/rtsh.al/