RTSH 24 Live

Europë

Kremlini: Dronët amerikanë mbi Detin e Zi janë një provokim për ushtrinë tonë

29/06/2024

Kremlini: Dronët amerikanë mbi Detin e Zi janë një provokim për ushtrinë tonë

Ministri rus i mbrojtjes ka urdhëruar zyrtarët që të përgatisin një “përgjigje” ndaj fluturimeve me dron të SHBA-së mbi Detin e Zi, citon AP deklaratën e ministrisë së Mbrojtjes ruse.

Sipas ministrisë, ”Moska mund të ndërmarrë veprime të forta për të zmbrapsur avionët amerikanë të zbulimit”.

Ministria ruse e Mbrojtjes vuri në dukje një “intensitet të shtuar” të kohëve të fundit të dronëve amerikanë mbi Detin e Zi, duke thënë se ata “po kryejnë operacione spiunazhi”.

“Kjo demonstron përfshirjen në rritje të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të NATO-s në konfliktin në Ukrainë në anën e regjimit të Kievit”, thekson ministria në një deklaratë.

Ministria njoftoi se ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov udhëzoi Shtabin e Përgjithshëm të “bëjë propozime për masat e reagimit operacional ndaj provokimeve”.

Uashingtoni dhe Moska tashmë janë përplasur për këtë çështje. Në mars të vitit 2023, një avion luftarak rus Su-27 dëmtoi një dron amerikan MQ-9 Reaper, duke bërë që ai të rrëzohej në Detin e Zi.

Ishte përplasja e parë e drejtpërdrejtë midis forcave ruse dhe amerikane që nga Lufta e Ftohtë. 

/ rtsh.al /