RTSH 24 Live

Politikë

KQZ i hoqi mandatin Belerit, Ministria e Jashtme greke: Shumë pikëpyetje për shtetin e së drejtës

05/07/2024

KQZ i hoqi mandatin Belerit, Ministria e Jashtme greke: Shumë pikëpyetje për shtetin e së drejtës

Ministria e Jashtme greke ka reaguar lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që i hoqi Fredi Belerit mandatin e kryetarit të Bashkisë Himarë.

Në reagim, Athina zyrtare e konsideron vendimin si një “përfundim të pritshëm”, teksa shton se ngre pikëpyetje në lidhje me parimet e shtetit ligjor.

Po ashtu, në reagim Ministria e Jashtme greke shkruan se autoritetet shqiptare  “kanë detyrimin” t'i japin Belerit mundësinë për t'u paraqitur si deputet i zgjedhur në Parlamentin Europian në seancën plenare më 16 korrik.

Vendimi i sotëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë për të skualifikuar Fredi Belerin, pa u bërë as edhe betimi si kryebashkiak i Himarës është një praktikë e re dhe përfundimi i parashikuar i një procesi me shumë pikëpyetje në lidhje me parimet themelore të shtetit ligjor.

Greqia kishte shprehur me kohë shqetësimin e saj të fortë për heqjen e prezumimit të pafajësisë, integritetin e procesit të provës, ndalimin e sharjes dhe dënimin shpërpjesëtimor të vendosur, si dhe faktin që Bashkia e Himarës qeveriset prej një viti nga persona të paautorizuar. Ministria e Punëve të Jashtme rithekson detyrimin e autoriteteve shqiptare për të marrë të gjitha masat e nevojshme për t'i mundësuar menjëherë Beleri, tashmë deputet i zgjedhur në Parlamentin Europian, të marrë pjesë në punën e tij, duke filluar nga seanca plenare më 16 korrik në Strasburgu”, thuhet në reagim.

Çështja e Fredi Belerit është bërë shkak për një sërë lëkundjesh në marrëdhëniet dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë. Pas arrestimit të Belerit, Greqia ka kërkuar disa herë lirimin e tij dhe dhënien mundësinë që të betohej si kryebashkiak i Himarës.

/rtsh.al/