RTSH 24 Live

Kosovë

Kosova jashtë  agjendës së KiE, zv.ministri i Jashtëm: Kërkohet të pranojmë projektstatutin për Asociacionin!

15/05/2024

Kosova jashtë  agjendës së KiE, zv.ministri i Jashtëm: Kërkohet të pranojmë projektstatutin për Asociacionin!

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, që mblidhet këtë javë. 

Ahmeti thotë se pavarësisht mbështetjes që ka vendi për anëtarësim në organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut, janë disa vende që i kërkojnë Prishtinës të pranojë projekt statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Ka gjasë që ky votim të shtyhet dhe vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura. Këshilli i Europës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft statutin e Lajçakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje edhe me procesin e dialogut në Bruksel”- ka shkruar ndër të tjera Ahmeti. 

Sipas tij, kërkesa për Asociacionin nuk lidhet aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Europës dhe me Kartën Europiane për Vetëqeverisje Lokale. “Shtyrja e votimit do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Eyropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për të adresuar të drejtat e tyre. Për më tepër, do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit”- thotë zv.ministri Ahmeti. 

Ndërkohë kryeministri Albin Kurti është shprehur se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti raportin e Dora Bakojanisit që rekomandonte anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Rekomandimi pritej të votohej në mbledhjen e 16 majit të Komitetit të Ministrave të Jashtëm të KiE-së.     

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /