RTSH 24 Live

Kosovë

Kosova bëhet anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Osmani: Hap drejt anëtarësimit

27/05/2024

Kosova bëhet anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Osmani: Hap drejt anëtarësimit

Kosova është bërë anëtare e asociuar, nga vëzhguese e thjeshtë në Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Mbledhja e Asamblesë u zhvillua në Sofje të Bullgarisë, ku vetëm një vend, Hungaria, doli kundër avancimit të Kosovës, ndërsa 14 të tjera abstenuan.

Vendimi u përshëndet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që e cilësoi NATO-n si "fatin e Kosovës".

“Mirënjohës për të gjithë anëtarët që votuan në favor të ngritjes së statusit të Kosovës në atë të një anëtari të asociuar. NATO është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në Tokë të dëgjohet. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, shkruan Osmani.

Edhe presidenti Bajram Begaj ka përshëndetur vendimin për avancimin e Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare e asociuar.

“Urime Kosovës që u zgjodh anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s”, shkruan Begaj.

Me avancimin e statusit të saj në anëtare e asociuar, Kosova ka të drejtën të paraqesë rezoluta dhe të kryejë rolin e raportuesit të asociuar special në komitete, por nuk ka të drejtë të votojë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuon në buxhetin e saj.

Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

/rtsh.al/