RTSH 24 Live

Politikë

Konstituohet Komisioni Hetimor për sistemin TIMS, përbërja dhe objekti i punës

02/04/2024

Konstituohet Komisioni Hetimor për sistemin TIMS, përbërja dhe objekti i punës

Komisioni hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS zhvilloi të martën mbledhjen e parë konstituuese. Komisioni drejtohet nga deputeti i “Rithemelimit” të PD-së, Ervin Salianji, ndërsa nënkryetar do të jetë deputeti i PS-së, Toni Gogu.

Që në nisje të mbledhjes, kryetari Salianji bëri të ditur përbërjen e komisionit, i cili është ngritur me kërkesë të deputetëve të opozitës. Ai do të ushtrojë veprimtarinë e tij për një periudhë kohore prej 4-muajsh, deri më 21 korrik 2024.

Gjatë prezantimit të objektit të komisionit dhe qëllimit të ngritjes, Salianji u shpreh se “qëllimi i këtij komisioni është kontrolli i ligjshmërisë së veprimeve a mosveprimeve të organeve dhe funksionarëve publikë të ngarkuar me administrimin dhe mbrojtjen e të dhënave TIMS”.

Ai theksoi se ky hetim do të synojë kontrollin e zbatimit të ligjeve në fuqi, nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe vlerësimin e nevojës për marrjen e masave administrative ose ndërhyrje ligjore në legjislacionin përkatës.

Salianji theksoi se objekti i punës së komisionit hetimor është shqyrtimi i çështjeve që lidhen me kontrollin e veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e sistemit TIMS dhe vlerësimi i nevojës për marrjen e masave administrative apo ndërhyrjeve ligjore në legjislacionin përkatës.

“Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij në përputhje me parimet kushtetuese, veçanërisht parimin e ndarjes së pushteteve duke mos iu mbivendosur punës së organeve të drejtësisë”, tha Salianji.

Ai theksoi se bashkë me raportin përfundimtar që komisioni hetimor do t’i paraqesë Kuvendit në seancë plenare rekomandime, gjërat do të lidhen me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, miratime e ndryshime apo korrigjime të kuadrit ligjor dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për fillimin e çështjes penale.

Salianji tha se midis emrave që do të thirren për dëshmuar në komision është edhe kryeministri, Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ndërsa shumica e atyre që do të thirren janë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

“Do të hetohet si dolën të dhënat e mbi 900 mijë qytetarëve të Tiranës dhe dalja e listave të pagave për më shumë se 600 mijë qytetarë”, tha ai.

Ndërkohë, nënkryetari i komisionit, Toni Gogu propozoi deputetin Xhemal Qefalia, si sekretar të këtij komisioni, propozim që u votua unanimisht nga të gjithë anëtarët.

“Prezumimi i pafajësisë është shumë i rëndësishëm dhe kur themi diçka duhet ta mbështesim me prova. Këtu sundon prova! Provat duhet ta sundojnë këtë sallë. Këtu provat, atje llogjet”, u shpreh deputeti i PS-së, Toni Gogu.

Përbërja e komisionit hetimor 

1-Ervin Saljanji  - kryetar
2-Toni Gogu -Nënkryetar PS
3-Nasip Naço  - Anëtar PS
4-Blerina Gjylameti - Anëtar PS
5-Etilda Gjonaj - Anëtar PS
6- Xhemal Qefalia - Anëtar PS
7- Antoneta Dhima - Anëtar PS
8- Bardhyl Kollçaku - Anëtar PS
9- Denis Deliu - Anëtar PS
10- Lindita Metaliaj - Anëtar PD
11- Lefter Gështenja - Anëtar PD
12- Asllan Dogjani  - Anëtar PD
13- Ramadan Lika - Anëtar PD
14- Luan Baci - Anëtar PD
15- Elda Hoti  - Anëtar PD

Anëtarët Zëvendësues

1- Bledion Nallbati- anëtar zëvendësues PD
2- Isuf Çela - anëtar zëvendësues PD
3- Eduart Nreca Anëtar zëvendësues PS
4- Laer Duraj Anëtar zëvendësues PS