Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur në Konispol ku një 69 vjeçar ka vrarë me sëpatë bashkëshorten e tij, 66-vjeçe ndërsa më pas ka ndërhyrë djali i tij i cili e ka hedhur nga shkallët ku për pasojë ka gjetur vdekjen.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 në fshatin Shalës, Konispol ku dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, “shtetasi H. I., 69 vjeç, ka vrarë me mjet prerës (dyshohet sëpatë) bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 66 vjeçe”
Pasi ka vrarë me sëpatë gruan e tij, 69-vjeçari me inicialet H. I., dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, “shtetasin K. I., rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë shtetasin H. I. nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi H. I. ka humbur jetën në vendngjarje”
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Konispol, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të autorit të dyshuar, shtetasit K. I. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/