RTSH 24 Live

Aktualitet

Konfirmohet murtaja afrikane e derrave në Lezhë, Ministria merr masa për kufizimin e përhapjes

27/12/2024

Konfirmohet murtaja afrikane e derrave në Lezhë, Ministria merr masa për kufizimin e përhapjes

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka konfirmuar se edhe Shqipëria është prekur nga murtaja afrikane e derrave.

Vatra është zbuluar në një fermë me 71 krerë derra në fshatin Ishull-Lezhë, më 25 dhjetor, ku si pasojë e infektimit, Shërbimi Veterinar i Sektorit të Lezhës konstatoi se kishin ngordhur 15 krerë.

"Menjëherë është kryer groposoja e kafshëve të ngordhura, disinfektimi i mjedisit, si dhe janë marrë kampione zyrtare (karkasë dhe organe), të cilat u dërguan në ISUV me fletë shoqërimi për dyshim të sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave, sipas protokollit të përcaktuar.

Kampionet e dërguara nga kadavra të derrave të butë dhe të kryqëzuar, prej Shërbimit Veterinar Rajonal të Qarkut Lezhë, në Laboratorin e Referencës – Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në datën 26.12.2024, kanë rezultuar pozitive me testin konfirmator RT – PCR, për praninë e sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave," njoftoi Ministria.

Gjithashtu mësohet se ferma ishte vënë në mbikëqyrje veterinare, pasi ka qenë në zonën e survejancës 10 km me vatrën në malin e Rrencit.

Po ashtu ferma është kontrolluar tri herë gjatë periudhës se karantinës në fund të nëntorit dhe në dyjavëshin e parë të dhjetorit, kur është konstatuar gjendje e mirë shëndetësore e kafshëve në fermë.

Murtaja afrikane e derrave nuk është një sëmundje që prek njeriun, por Ministria e Bujqësisë me strukturat ligjzbatuese ka deklaruar se janë marrë masat për menaxhimin dhe kufizimin e përhapjes së sëmundjes.

"Ditën e sotme, në datë 27.12.2024 është mbajtur takimi i Qëndrës Kombëtare të Krizës dhe ka hyrë në fuqi Urdhri nr.1131 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Murtajës Afrikanë në Derrat e butë”, në të cilin udhërohen masa shtesë për:

  1. Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të derrave të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Bashkinë Lezhë.
  2. Ndalimin në territorin e Bashkisë Lezhë të lëvizjes së derrave të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet, panairet dhe ekspozitat e kafshëve të gjalla.
  3. Veterineri zyrtar me miratim të titullarit të DRVMB mund të autorizojë lëvizjet e derrave të mbarështuar nga fermat pa prani të sëmundjes, që ndodhen në zonën e mbrojtes direkt për në një thertore, e cila ndodhet sa më afër që të jetë e mundur me fermën e origjinës dhe brenda zonës së mbrojtjes, ose në zonën e mbikëqyrjes, kur nuk është e mundur që kafshët të theren në zonën e mbrojtjes.
  4. Të kryhet inventarizimi dhe gjurmimi me teste laboratorike konfermatore për sëmundjen e Murtajës Afrikane të Derrave, në zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, në Njësitë Administrative: Shëngjin, Kolsh, Zejmen, Lezhë, Balldre, Kallmet dhe Shënkoll të Bashkisë Lezhë.
  5. Të forcohet marrja e masave për kontrollin e lëvizjes së kafshëve, zbatimin e masave të Biosigurisë dhe masave sanitaro-veterinare në zonën e mbrojtjes dhe mbikqyrjes në Njësitë Administrative Shëngjin, Kolsh, Zejmen, Lezhë, Balldre, Kallmet dhe Shënkoll.

I bëjmë thirrje pronarëve të kafshëve të zbatojnë masat karantinore dhe të biosigurisë, veterinerëve privatë, teknikëve veterinarë, drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore, punonjësve e shërbimit pyjor dhe gjuetarëve, që për cdo rast dyshimi apo prani të shenjave klinike në derra, të informojnë pa vonesë Shërbimin Veterinar Rajonal në numrin e gjelbër 08003366 ose në rrugë zyrtare në adresën e e-mailit info@akvmb.gov.al," thuhet në njoftimin e Ministrisë.

/rtsh.al/