Mediet tradicionale mbeten më objektive dhe të bazuara në dokumentacion, ndërsa rrjetet sociale shpesh pasqyrojnë një interpretim subjektiv dhe emocional të historisë.
Ishte ky rezultati i studimit fillestar për mënyrën si mediet në tërësi raportojnë mbi periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri.
Në këtë studim të kryer nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në bashkëpunim me fakultetin e Histori-Filologjisë, ishin të përfshira disa medie shqiptare për periudhën nëntor–dhjetor 2024.
"Janë analizuar rreth 701 përmbajtje, që do të thotë emisione, shkrime, artikuj të marra nga mediet klasike tradicionale, në këtë rast televizioni. Numrin më të lartë të përmbajtjeve në lidhje me kujtesën e gjejmë te rrjetet sociale, që kemi 346 përmbajtje, kryesisht në Facebook," u shpreh drejtuesja e IDMC-së, Jonila Godole.
Rritja e bashkëpunimit mes historianëve dhe gazetarëve do të ndihmonte në përmirësimin e raportimit mbi të kaluarën.
"E para, historiani është në shtëpi ose në studion e vet ose në aulën/sallat universitare dhe nuk merr pjesë në debatin publik, në hapësirën publike, është i munguar. Përse?! Ka 100 arsye. Si në universitete, edhe në Akademinë e Shkencave, edhe në institute. Së dyti, për mua gazetari nuk bën dot histori. Po të mbështeten te teoricienët që kanë hedhur bazat e informacionit masiv është e paimagjinueshme që gazetari të bëjë histori. Tre: në rrjetet sociale nuk bëjnë histori, por bëjnë kujtesë," tha pedagogu Artan Fuga.
Kjo ishte vetëm faza e parë e studimit, ndërsa në muajin maj do të publikohet studimi i plotë për sa i përket raportimit të medieve tradicionale dhe sociale rreth të kaluarës në Shqipëri.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/