Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, mori pjesë në Edicionin e 61-të të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, ku zhvilloi një sërë takimesh produktive me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Ayman Al-Safadi; Ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Abdullah Al-Yahya; Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla-Shwarz; Senatoren Amerikane, Elissa Slotkin; Anëtarin e Komitetit të Sigurisë Kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, Mike Martin; dhe Nënkryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Finlandë, Tytti Tuppurainen.
Përgjatë çdo takimi, Hasani rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në forcimin e partneriteteve, sigurinë rajonale dhe mbështetjen ndaj sovranitetit të Ukrainës.
Sipas ministrit Hasani "multilateralizmi është çelës në adresimin e kërcënimeve hibride dhe ndihmon njëkohësisht në avancimin e agjendës për paqe e siguri të qëndrueshme".
Gjithashtu Hasani ishte i ftuar nderi dhe një nga folësit kryesorë në tryezën e rrumbullakët mbi Taktikat e Zonës Gri në Kontinentin Evropian, të organizuar nga Kryetari i MSC 2025, ish-Ambasadori Christoph Heusgen, me fokus diskutimin mbi sfidat e reja të sigurisë evropiane dhe rajonale.
“Lufta në Ukrainë, së bashku me rritjen e frekuencës së sulmeve kibernetike dhe hibride, e rrisin nevojën për një përgjigje më të fortë e më të bashkuar Evropiane. Duke vepruar së bashku, ne mund të sigurojmë një të ardhme më të sigurt për Shqipërinë, për Ballkanin Perëndimor dhe për tërë rajonin Euro-Atlantik”, tha Hasani.
Pjesëmarrja e ministrit Hasani në këtë forum të rëndësishëm nënvizon angazhimin e Shqipërisë për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbështetjen e paqes dhe stabilitetit global.
/rtsh.al/