Në konferencën federale të partisë në Berlin, CDU ka miratuar të ashtuquajturin "Program i Veprimit të Menjëhershëm" në rast të marrjes së pushtetit. Votimi i afro 1000 delegatëve ishte unanim.
"Programi i veprimit të menjëhershëm" përmban pjesë kyçe të programit zgjedhor të CDU-së, duke përfshirë masat për të kufizuar migrimin, lehtësimin e ekonomisë dhe forcimin e sigurisë së brendshme. Ai përfshin gjithashtu planin e politikës së migrimit të miratuar nga Bundestagu me mbështetjen e AfD.
Kryetari i partisë dhe kandidati i partive unioniste për kancelar Friedrich Merz e hapi takimin njëditor me brohoritje të forta nga rreth 1000 delegatë.
Ai kërkoi mbështetje për ndryshim të shpejtë dhe dramatik të politikave. "Ne jemi të gatshëm ta çojmë Gjermaninë sërish përpara Bëhet fjalë për dërgimin e një sinjali të qartë dhe të fortë për të gjithë Gjermaninë”, vazhdoi kandidati i përbashkët për kancelar të CDU-së dhe CSU-së.
"Një qeveri e udhëhequr nga CDU/CSU do të fillojë punën pa vonesë dhe do të trajtojë shkaqet rrënjësore të problemeve që kanë paralizuar vendin tonë kaq gjatë," u deklaroi Merz delegatëve.
Ai vendosi gjithashtu një objektiv të qartë që qytetarët dhe bizneset të shkojnë në pushimet verore në vitin 2025 me besim të ri. CDU ka një "plan për Gjermaninë" për sa i përket përmbajtjes, tha Merz-i.
Distancim nga AfD
Pas miratimit të "Programit të Veprimit të Menjëhershëm", një fjalë përshëndetje mbajti kryetari i partisë simotër bavareze CSU, Markus Söder.
Kryetari i CSU-së Söder theksoi se ky nuk kemi të bëjmë thjesht me një ndërrim të qeverisë, por me një drejtim i ri për Gjermaninë. Kancelari i deritashëm dhe politikani i SPD, Olaf Scholz, nuk ishte i aftë për të udhëhequr vendin, tha Söder.
Söder bëri një përpjekje për t'u distancuar nga AfD. Partitë unioniste janë kundër çdo bashkëpunimi me AfD-në, tha ai dhe shtoi "ne nuk do ta ndihmojmë AfD-në, do ta luftojmë atë”. Ne nuk duhet ta lëmë vendin në duart e tyre.
Kryeministri bavarez thekson se e kupton pse njerëzit po protestojnë kundër AfD-së. Megjithatë, ai shpreson se njerëzit do të mbajnë një qëndrim po aq të qartë kundër ekstremistëve të krahut të majtë dhe pushtuesve të zyrave të CDU-së. Kjo është e pahijshme politikisht, tha Söder.
Të premten, Merz dështoi në përpjekjen për të miratuar "Ligjin e Kufizimit të Migrimit", pavarësisht mbështetjes unanime nga AfD. Kjo edhe për faktin se një numër deputetësh të CDU nuk morën pjesë në votim. Përmbajtja e mocionit dhe projektligji janë tashmë edhe në "programin e veprimit të menjëhershëm".
Kisha: Për lirinë dhe paqen në botë
Përpara konferencës së partisë CDU, kreu i Zyrës Katolike, Prelati Karl Jüsten, bëri thirrje për kozmopolitizëm dhe tolerancë. "Si të krishterë të devotshëm, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të ngrihemi për lirinë dhe paqen në botë, të luftojmë për kozmopolitanizëm, tolerancë dhe drejtësi”, tha ai në një shërbesë fetare në predikimin e tij në Berlin, shkruan DW.
Nuk duhet të ketë vend për antisemitizëm dhe ksenofobi, vazhdoi më tej. Kisha mbetet e bindur se CDU dhe kandidati i saj për kancelar do të vazhdojnë të mbajnë premtimet e tyre në këtë drejtim.
Pas votimeve të debatuara për planet e CDU/CSU për të ashpërsuar politikën e migracionit me përfshirjen e AfD, përfaqësuesit e kishës dhe politikanët e CDU u takuan zyrtarisht për herë të parë. Marrëdhëniet mes CDU/CSU dhe kishave janë konsideruar të tensionuara që nga java e kaluar. Kishat kishin kritikuar planet e migrimit në një deklaratë. Një letër shoqëruese paralajmëronte gjithashtu kundër miratimit të projekteve legjislative me pjesëmarrjen e AfD.
Protesta rreth konferencës së CDU-së
Disa qindra njerëz demonstruan rreth konferencës së CDU-së. Disa protestues brohoritën fjalën "Turp" dhe mbanin shenja të tilla si "Ne jemi muri i zjarrit" për t'i kujtuar Merzit premtimin e tij për të mos bashkëpunuar me AfD. Policia ishte në vendngjarje me rreth 700 oficerë.
Qindra mijëra njerëz dolën në rrugë anembanë Gjermanisë gjatë fundjavës për të protestuar kundër ekstremizmit të djathtë dhe bashkëpunimit me AfD. Midis 160.000 dhe 250.000 vetë demonstruan kundër ekstremizmit të djathtë vetëm në Berlin dhe i kërkuan CDU-së të distancohej nga AfD. Demonstrata pati edhe në qytete të tjera gjermane.
/rtsh.al/