RTSH 24 Live

Politikë

Komisioni Antikorrupsion - Xhafaj mbledh në zyrë përgjigjet e para të institucioneve

02/07/2024

Komisioni Antikorrupsion - Xhafaj mbledh në zyrë përgjigjet e para të institucioneve

Në zyrat e Kuvendit kanë nisur të vijnë përgjigjet e para nga disa institucione publike që u ftuan nga Fatmir Xhafaj të kontribuojnë në Komisionin e Posaçëm parlamentar për Antikorrupsionin.

Në mbledhjen e fundit, anëtarët miratuan katër vendime, mes të cilave ftesën publike për bashkëpunim për Organizatat ndërkombëtare që veprojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë apo edhe për individët, ekspertët vendas e ndërkombëtarë, për të kontribuar me ekspertizën e tyre në përmbushje të qëllimit dhe objektit të Komisionit.

Po kështu, anëtarët e kësaj strukture i kanë kërkuar disa Institucioneve që veprojnë në sektorë me risk për korrupsion që të ofrojnë përfaqësues ose ekspertë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar që një pikë fokale ka hartimin e propozimeve ligjore që ndërtojnë mekanizma kundër fenomenit.

Burimet pranë komisionit i thanë RTSH-së se kanë nisur të vijnë propozimet e para që do të administrohen nga Komisioni i Posaçëm që do të ketë një nga platformat më të gjëra të veprimit ndonjëherë.

Për të treguar se kjo nuk do të jetë një punë rutinë administrative, kryetari i shumicës qeverisëse, Edi Rama premtoi publikisht në mbledhjen e një jave më parë se PS e ka seriozisht reformimin e sistemit të institucioneve që përmenden edhe në raporte ndërkombëtare për korrupsion ose cilësi të ulët veprimi kundër fenomenit. 

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/