RTSH 24 Live

Aktualitet

Arrestimi i Beqajt, SPAK zbardh akuzat: Kreu prokurime fiktive me fondet e BE, fshehu pasurinë

04/07/2024

Arrestimi i Beqajt, SPAK zbardh akuzat: Kreu prokurime fiktive me fondet e BE, fshehu pasurinë

Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj akuzohet nga SPAK për prokurime fiktive në të paktën 8 raste në kohën kur ky ka qenë drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Me një deklaratë zyrtare, SPAK shprehet se Ilir Beqaj ka abuzuar me fondet e BE ku këto prokurime fiktive nuk kanë kaluar përmes një procedure të rregullt ligjore. Lidhur me abuzimet, SPAK thotë se Beqaj i ka kryer në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, gjithashtu i arrestuar, i cili në atë periudhë drejtonte projektin EUSAIR pjesë e SASPAC përgjatë viteve 2022-2023.

Ilir Beqaj u arrestua mëngjesin e sotëm (4 korrik) pikërisht për abuzimin me fondet e huaja kur ai postin e kreut të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik.

“Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese. Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që iu janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumente këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Nga hetimet SPAK thotë se rezulton se faturat dhe procedurat fiktive bëheshin që paratë të përfundonin në xhepat e ish-ministrit Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulajt , duke sqaruar dhe se si veprohej nga ana e tyre. SPAK thotë se Beqaj dhe Kurtulaj i kanë kryer vetë këto shërbime si blerës direk duke përfituar të ardhurat në mënyrë të paligjshme.

SPAK sqaron se shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti, që edhe pse nuk figuronin në emër të Beqajt dhe Kurtulaj, ata ishin përfituesit fundor.

Në lidhje me këto kontrata shërbimi është konstatuar: Së pari: Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas  çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim G. H. dhe Drejtor Ekzekutiv personin nën hetim A. N. I vetmi shërbimi i ofruar në kuadër të këtij eventi nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, e cila është organizuar nga shoqëria tregtare “A….. F….. and H….. Lab” sh.p.k, njohur si restorant “G…..” në një vlerë prej 4.189.000 lekë.

Së dyti: Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të ulta) duke i prokuruar më pas tek persona të tjerë juridikë “N. S. Int” sh.p.k me Ortak e Administrator personin nën hetim E. M. dhe personin nën hetim B. Z.  për qëllime të përfitimit material;

Së treti: Shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti “G…….”, apo të kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave fizik të tjerë, me qëllim përvetësimin fundor nga personat nën hetim I. B. dhe E. K.

Së katërti: Në rastet kur projektet e monituara nga SASPAC-u kanë prokuruar shërbime nën vlerën 2.500 euro, ku sipas rregullave “PRAG” realizohen vetëm me pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit direkt.  Ata e kanë faturuar këtë shërbim tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që shërbimi është ofruar nga restorant “G…”. Këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim I. B. e E. K. me restorantin “G…..””, njofton SPAK.

Një tjetër akuzë e SPAK ndaj Beqajt është edhe fshehja e pasurisë në deklarimin e bërë në 2020, ku sipas organit të akuzës ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin ku dhe krijonte fatura fiktive për eventete e bëra me fondet e  SASPAC.

Hetimet kanë zbuluar se Beqsj në 2019 ka investuar 21.411 euro dhe 4.666.110  lekë, në formën e aseteve dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Këto interesat mbi këtë restorant, SPAK thotë se Beqaj i ka ushtruar nëpërmjet Ermal Kurtulajt.

“Personi nën hetim Ilir Beqaj. dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G…..” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim Ilir Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un. Personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110  lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim Ermal Kurtulaj, i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore. Personi nën hetim I.B. ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim E. K.”, thotë SPAK.

Gjatë operacionit edhe BKH ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë, aparate telefoni me interes për  hetimin etj.

Për këto abuzime deri më tani janë ekzekutuar deri më tani 6 masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që po kryhen veprime për ekzekutimin e masës për personin tjetër nën hetim. Në masat e dhëna nga GJKKO, ndaj Ilir Beqajt është vendosur “Arrest në burg”,  për tre persona nën hetim; masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” dhe për dy persona nën hetim; si dhe masën e sigurimit së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Ata akuzohen për veprat: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publikë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

/rtsh.al/