RTSH 24 Live

Politikë

Abuzimi me fondet e SASPAC- Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj

04/07/2024

Abuzimi me fondet e SASPAC- Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj

Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe dy persona të tjerë. Lajmi është mësuar nga burime për RTSH, ndërsa më pas ka ardhur dhe reagimi i SPAK, i cili ka bërë me dije se në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krim të Organizuar, është kryer arrestimi i ish-ministrit Ilir Beqaj.

Ilir Beqaj është arrestuar në lidhje me abuzimet me fondet e SASPAC (Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës), e cila drejtohej nga ai, deri në momentin që ish-ministri dha dorëheqjen pasi GJKKO vendosi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë Shqipërisë”.

Në pranga ranë gjithashtu financieri i Beqajt, Ermal Kurtulaj (koordinator i projektit EUSAIR që menaxhohej nga Agjencia SASPAK) dhe Alfred Nikolla. Hetimi nga SPAK mbi abuzimet me këto fonde nisi në vitin 2023.

Ilir Beqaj mori postin e kreut të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik në nëntor 2022 dhe qëndroi 1 vit.

Arrestimi i Beqajt është kryer nga Policia e Tiranës, ndërsa akuzohet për "shpërdorim detyre" dhe "pastrim parash".

Duke marrë në konsideratë kërkesat tuaja për informacion lidhur me arrestimin e shtetasit Ilir Beqja, ju konfirmoj se, sot është kryer arrestimi e këtij shtetasi në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ish-ministri po hetohej edhe për dosjen e koncesionit të Sterilizimit, ndërsa nga Gjykata i ishte caktuar edhe masa "detyrim paraqitje". 

Sipas SPAK, Beqaj ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro.

Në muajin gusht  të vitit të kaluar, u bë arrestimi i biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Koncesioni i sterilizimit kaloi në duart e prokurorëve të SPAK në korrik 2022, të cilët nisën hetimin për të zbardhur procedurat e dhënies me koncesion të këtij shërbimi.

Për dosjen e sterilizimit janë marrë të pandehur edhe 8 persona të tjerë, ndërsa pritet që SPAK të dorëzojë dosjen në GJKKO me kërkesën për nisjen e gjykimit.

Karriera e Ilir Beqaj, në vitit 2022 drejtoi Agjensinë Shtetërore të Programimit Strategjik

Ish- ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj lindi në Tiranë më 18 shkurt 1968. Ka kryer studimet e larta universitare në Universitetin e Tiranës, në periudhën 1985-1990, ku është diplomuar për informatikë.

Në vitin akademik 1999-2000, ka kryer studimet pasuniversitare për Administrim Ndërmarrje, në Institutin Francez të Menaxhimit pranë Universitetit Politeknik Tiranë.

Në vitet 1990-1993 ka punuar në Bankën e Shqipërisë në detyrën e specialistit të informatikës e gjithashtu gjatë viteve 1993-1994 ka punuar në Njësinë e Informacionit Fiskal po në këtë Bankë.

Gjatë periudhës 1994-2006, Beqaj ka punuar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në detyra të ndryshme.

Gjatë viteve 2003-2006 ka punuar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit.

Është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në Qarkun e Shkodrës në legjislaturën 2009-2013.

Në zgjedhjet Parlamentare të 2013-s zgjidhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë i Qarkut Durrës. Prej 2007-s është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Në periudhën 2007-2011 ka kryer detyrën e nënsekretarit për programin në Partinë Socialiste.

Ndërsa në vitin 2013, Ilir Beqaj zgjidhet Ministër i Shëndetësisë në qeverinë Rama 1. Gjithashtu Beqaj ka drejtuar edhe Agjensinë Shtetërore të Programimit Strategjik në vitin 2022, detyrë e cila zgjati vetëm një vit.

/rtsh.al/