RTSH 24 Live

Sociale

Programet e mësuesisë, prioritare, në Korçë, 8 programe të nivelit Bachelor

07/07/2024

Programet e mësuesisë, prioritare, në Korçë, 8 programe të nivelit Bachelor

Edhe gjatë këtij viti akademik programet e mësuesisë do të vijojnë të jenë programe prioritare. Në Korçë janë 8 programe bachelor pjesë e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë në universitetin Fan Noli, të cilat mund të përzgjidhen nga maturantët për kryerjen e arsimit të lartë.

Një politikë e tillë por dhe për faktin e rritjes së pagës së mësuesit ka ndikuar në rritjen e numrit të studentëve që zgjedhin programet e mësuesisë.

Dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, Jonela Spaho  në një prononcim për RTSH theksoi se, këtë vit degët e mësuesisë do të jenë  të favorizuara si degë  prioritetare dhe studentët do të marrin një pagesë prej 40 mije lekësh të rinj.

“Programet e studimit që ofron Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në universitetin Fan Noli në Korçë edhe gjatë vitit të ri akademik do të vijojnë të jenë programe prioritare, duke shpërblyer studentët me një pagë mujore prej 40 mijë lekësh”.

Ndaj, vazhdoi ajo, në qoftëse llogarisim numrin e mësueseve që dalin në pension çdo vit në rang qarku është shumë më i lartë se sa numri i studentëve që diplomohen në degët tona”.

“Stimulimi që i bëri qeveria shqiptare për rritjen e pagës dhe shpërblimi për studentët është në këtë kontekst dhe është një gjë pozitivë dhe do ta bëjë më atraktive fushën e mësuesisë dhe zgjedhjen e tyre nga maturantët”.

Pjesa më e madhe e stafit pedagogjik është me tituj e grada shkencore, ndërsa këtë vit akademik studentët do të zhvillojnë mësimin në ambiente bashkëkohore për shkak të një investimi për rikonstruksionin e godinës së fakultetit i cili është drejt përfundimit

 

Gazetare Kostanca Koçi