RTSH 24 Live

Sociale

Shëndetësia, përfitimet nga anëtarësimi në BE - Eksperti, procesi siguron transparencë në çmime

3 orë para

Shëndetësia, përfitimet nga anëtarësimi në BE - Eksperti, procesi siguron transparencë në çmime

Shëndetësia është një nga sektorët kyç që do të kërkojë standarde të tjera në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përfituesit e drejtpërdrejtë do jenë pacientët nga përshtatja dhe ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor. Ata do kenë më shumë akses ndaj barnave të rimbursueshme. I ftuar në Tiranë eksperti kroat i shëndetësisë, Dr. Tihomir Strizrep referuar eksperiencës së shtetit të tij, foli për domosdoshmërinë e një reforme në shëndetësi për ta përshtatur me standardet e BE.

“Falë këtij procesi ne ishim më të aftë të listonim më shumë barna se sa më parë. Përpara këtij procesi ne kishim një proces regjistrimi barnash që në disa raste merrte shumë kohë sidomos kur bëhej fjalë për barna inovatorë të cilat vinin gjithnjë shumë vonë në vendin tonë. Pas anëtarësimit në BE kjo gjë ndryshon komplet. Disponueshmëria e barnave u bë më e lartë dhe falë ndryshimeve në legjislacionin tonë në lidhje me implementimin e rregulloreve të BE ne tani kemi një proces më transparent në vendosjen e çmimeve dhe listimin e barnave të rimbursueshme”, u shpreh Ekspert i politikave shëndetësore,  Tihomir Strizep.

I pyetur se cila do të ishte këshilla për Shqipërinë në këtë fazë të procesit, eksperti kroat theksoi se negoaciatat për anëtarësim janë një mundësi e mirë për të bërë ndryshime në legjislacion fillimisht.

“Nuk duhet ndaluar këtu. Më pas duhet bërë adoptimi i akteve rregullatore dhe kjo është e rëndësishme sepse nëse qëndrojnë vetëm në letër, popullata nuk do ta ndjejë këtë ndryshim. Pra përshtatni legjislacionin me atë evropian dhe punoni fort për implementimin e tij”, tha Strizep.

Përfitimet nga anëtarësimi në BE prekin të gjitha palët e interesuara, por në mënyrë parësore pacientët  të cilët do të kenë më shumë medikamente në dispozicion.. Kjo pasi të gjitha ilaçet regjistrohen në mënyrë qendrore në Agjencinë evropiane të barnave dhe automatikisht ato regjistrohen edhe në territorin e vendit të anëtar të BE-së. 

Gazetare: Sonila Mlloja

/RTSH/