RTSH 24 Live

Aktualitet

Përmbytjet në Vlorë, Vengu: 250 forca janë në terren, do ketë dëmshpërblim për banorët dhe bizneset

05/10/2024

Përmbytjet në Vlorë, Vengu: 250 forca janë në terren, do ketë dëmshpërblim për banorët dhe bizneset

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka qenë i pranishëm në mbledhjen që është zhvilluar me Emergjencat Civile, kryetarin e Bashkisë Vlorë Ermal Dredha dhe prefektin e qarkut lidhur me situatën e përmbytjeve të Vlorës. Pas mbledhjes ministri Vengu tha se situata është drejt qetësimit dhe se po punohet me të gjitha sistemet e pompimit dhe Hidrovorin për të larguar ujin në zonat e prekure kryesisht në rrugën “Albano Romina” te lagja historike dhe te Kisha Ortodokse.

Vengu tha se reagimi i emergjencave civile ka qenë i shpejtë lidhur me situatën e përmbytjeve, ndërsa shtoi se krijimi i një situate të tillë erdhi si pasojë edhe e reshjeve të dendura por edhe kushteve teknike të infrastrukturës dhe stacionet e pompimit që nuk kanë qenë në kushtet optimale dhe duhen investime të reja.

“Ka shkaqe objektive, kemi një situatë ku në shumë pak orë kanë vërshuar 20 cm ujë. Ka dhe shkaqe teknike që lidhen me rrjetin infrastrukturor dhe të evakuimit të ujërave të zeza dhe bardha në nivel bashkie dhe qarku. Që nga kolektorët deri te hidrovorët e stacionet e pompimit, situata nuk ka qenë detyrimisht në kushtet optimale dhe na duhet të reagojmë dhe përmirësojmë përmes investimeve në javët në vijim”, tha Vengu.

Vengu tha se në terren janë 250 forca civile dhe ushtarake, ndërsa janë evidentuar deri më tani  62 pallate dhe biznese që janë prekur nga përmbytjet. Ministri foli edhe për dëmshpërblimin e banorëve të prekur sipas ligjit, ndërsa për bizneset shtoi ai, po shihen mënyra përmes rimbursimit të tatime apo siguracionit.

“Po bëjmë të mundur evidentimin e dëmeve që të qenë pranë qytetarëve dhe bizneseve. Lagja historike ka pasur probleme, kemi 5 grupe të bashkisë atje, sepse është momenti ti qëndrojmë pranë gjithë qytetarëve, t’i evidentojmë dëmet dhe të shfrytëzojmë të gjithë ato instrumente financiare që i japim mund qoftë bashkisë qoftë emergjencave të dëmshpërblejnë banorët për dëmet që janë konstatuar. Në një periudhë të shkurtër të japim resurset financiare. Legjislacioni parashikon një rend dëmshpërblimi që i jep përparësi individëve që preken dhe familjeve. Bizneset kemi instrumente të tjerë që po i konsiderojmë, siç janë rimbursimet përmes instrumentit tatimor dhe evidenca e dëmeve do përcaktojë edhe vlerën e instrumenteve tatimor apo siguracioni. Ne s’do të përjashtojmë askënd, qoftë individët, familjarët dhe bizneset do u qëndrojmë pranë”, tha Vengu.

/rtsh.al/