RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Komentet për vizitën e Kurtit, Pendarovski: Nuk jam albanofob

19/08/2023

Komentet për vizitën e Kurtit, Pendarovski: Nuk jam albanofob

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, ka sqaruar se nuk ka ndjenja kundërshtie ndaj komunitetit shqiptar dhe se reagimi i tij për vizitën e fundit së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është keqinterpretuar.

Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në komunat e Çairit dhe Tetovës, u shoqërua me deklarata të forta, pasi gjatë një tubimi ku Kurti po merrte pjesë, në publik u shfaq edhe flamuri i "Shqipërisë së Madhe".

Ndërkohë, pakënaqësi mes maqedonasve shkaktoi edhe emërtimi i një rruge në Çair në emër të veprimtarit Adem Demaçi, me arsyen se vendimi ishte marrë "pa konsensus të gjerë ndëretnik".

Në një intervistë për TV21, presidenti Pendarovski tha se problemi i tij ishte me organizatorët që e kishin lejuar provokimin me flamurin nacionalist.

"Edhe ata që e shkruan, e dinë se nuk jam albanofob. Njihem prej një kohe të gjatë me Afrim Gashin, Bilal Kasamin dhe Izet Mexhitin, dhe të mos flas për pjesën tjetër të spektrit politik. Edhe me kryeministrin Kurti kam raporte mjaft korrekte. Jemi takuar në shumë konferenca dhe mund ta them se ai ka mendim të mirë për mua. Vizita e Kurtit nuk ishte problematike në vetvete. Gjatë vizitës së tij, në paraqitjet publike të tij në Tetovë dhe Çair, nuk mund të shoh asnjë fjali ku ai e ofendon Maqedoninë apo popullin maqedonas. Reagimi im ishte ndaj nikoqirëve të tij, të cilët nëpërmjet ikonografive të tilla u përpoqën që të profilizohen para elektoratit. Gjithashtu nuk kam kontestim as për emërtimin e rrugës Adem Demaçi, sepse nëse bëhet fjalë për person i cili ka studiuar një periudhë në Shkup dhe ka jetuar në atë rrugë dhe ka marrë titull nga Parlamenti Europian para 30 vjetësh, atëherë është e qartë se nuk bëhet fjalë për ndonjë nacionalist lokal," u shpreh Pendarovski.

Kryeministri i Kosovës gjatë qëndrimit në Shkup dhe Tetovë nuk u takua me zyrtarët qeveritarë, por u prit nga tre drejtuesit e partive opozitare shqiptare. 

Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE ka fajësuar qeverinë socialdemokrate për lejimin e organizimeve të pritjes së Kurtit, ndërsa ka kritikuar edhe presidentin Pendarovski për reagimin e vonuar.

/rtsh.al/