Në një deklaratë të publikuar të enjten (21 nëntor) në aplikacionin Telegram, forcat ajrore të Ukrainës nuk saktësuan llojin e raketës, por thanë se ajo ishte lëshuar nga rajoni rus Astrakhan, i cili kufizohet me Detin Kaspik.
Në deklaratë thuhet se një raketë balistike ndërkontinentale u hodh në qytetin Dnipro së bashku me tetë raketa të tjera dhe se ushtria ukrainase rrëzoi gjashtë prej tyre.
Sipas zyrtarëve lokalë, dy persona u plagosën si pasojë e sulmit dhe një objekt industrial dhe një qendër rehabilitimi për personat me aftësi të kufizuara u dëmtuan.
Njoftimi për një sulm me një raketë të tillë u bë dy ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një doktrinë të rishikuar bërthamore që ul zyrtarisht pragun për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia. Ukraina të martën hodhi disa raketa amerikane me rreze më të gjatë veprimi dhe thuhet se ka hedhur të mërkurën raketa britanike në Rusi.
Zhvillimet e raportuara ndodhin në një kohë kur lufta ka marrë një dimension ndërkombëtar në rritje me vendosjen e trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Rusinë në fushëbetejë, një zhvillim që zyrtarët amerikanë thanë se nxiti ndryshimin e politikës së presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë raketa amerikane me rreze më të gjatë veprimi për të goditur objektiva në Rusi. Kremlini u përgjigj me kërcënime për përshkallëzim të konfliktit.
Presidenti Putin ka paralajmëruar më parë SHBA-në dhe aleatët e tjerë të NATO-s se lejimi i Ukrainës të përdorë armët perëndimore me rreze më të gjatë veprimi për të goditur territorin rus, do të thotë se Rusia dhe NATO janë në luftë. Doktrina e tij e re lejon një përgjigje të mundshme bërthamore nga Moska edhe ndaj një sulmi konvencional ndaj Rusisë nga çdo komb që mbështetet nga një fuqi bërthamore.
/RTSH/