RTSH 24 Live

Kosovë

Këshilli Evropian: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve

24/03/2023

Këshilli Evropian: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve

Këshilli i Europës mirëpret marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe planin e zbatimit të saj, të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si pjesë integrale e rrugës së tyre evropiane, dhe “u bën thirrje të dyja palëve që të zbatojnë me shpejtësi dhe në mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse”, thuhet në tekstin e përfundimeve të Këshillit Evropian

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell deklaroi dje se do të monitorojë kush zbaton dhe kush nuk zbaton marrëveshjen, si dhe e konsideronte të kotë çdo përpjekje për të vënë në dyshim këtë marrëveshjen.

Në datën 18 mars, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e kryediplomatit europian Josep Borrell u takuan në Ohër ku ranë dakord për shtojcën për zbatimin e planit europian për normalizmin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Plani evropian për të cilin palët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel e më 18 mars në Ohër për zbatimin e tij, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Mosnënshkrimi i dokumentit në takimin e Ohrit nxiti mëdyshje nëse marrëveshja mund të trajtohet si ligjërisht e detyrueshme.

Ndërkohë të dielën kryeministri Albin Kurti do të jetë në Tiranë për tu takuar me kryeministrin Edi Rama dhe kryetaren e Parlamentit, Lindita Nikolla. Në fokus të takimeve do të jetë marrëveshja e pafirmosur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë. 

/rtsh.al/