Lihet në burg kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Apeli i Gjykatës së Posaçme vendosi në mbledhjen e sotme që ta rrëzojë ankimimin e bërë nga kryebashkiaku, duke lënë në fuqi vendimin “arrest me burg” të Shkallës së Parë.
Apeli i GJKKO-së vendosi, ndërkaq, lehtësimin e masës së sigurisë për biznesmenin Elman Abule, duke e lënë në “arrest shtëpie”, ndërsa la në fuqi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për biznesmenët e tjerë: Shkëlqim Fusha, Gentian Sula e Meriman Palushi.
Avokati i Veliajt, Maksim Haxhia, paralajmëroi apelimin më tej të çështjes, duke u deklaruar shpresëplotë se klienti i tij mund të marrë atë që kërkon nga Gjykata e Lartë.
"Presim të ndodhë ndonjë çudi në Gjykatën e Lartë, që të pranojë kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit të Erion Veliajt, sepse nuk konkurron asnjë nga kushtet dhe krieteret për të mbajtur në burg një person të tillë”, tha avokati.
Haxhia hodhi akuza ndaj SPAK-ut dhe profesionializmit të prokurorëve specialë. Ai e argumentoi qëndrimin e tij me pretendimet se anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, sikundër z. Veliaj, mund të jenë përgjuar pa miratimin e instancave më sipër.
"Në qoftë se është e vërtetë ajo që ka ndodhur me anëtarin e Gjykatës Kushtetuese për mua është situatë skandaloze, duke filluar nga presidenti, Parlamenti, nga Gjykata Kushtetuese, nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe gjithë populli duhet të vihet në alarm. Nëse është e vërtetë, kur Gjykata Kushtetuese vihet në përgjim imagjinoni si jemi ne të tjerët.
Ky është defekti i legjislacionit. Ky institucion nuk ka kontroll! Ky institucion ka kontroll nga gjykata që këta kanë të drejtën për të filluar procesin penal ndaj tyre," u shpreh avokati Haxhia.
Kryebashkiaku Veliaj kërkoi zbritjen e masës së sigurisë kundrejt garancisë pasurore, kërkesë kjo e rrëzuar në seancën e sotme të Apelit të GJKKO-së, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Kryebashkiaku i Tiranës u arrestua më 10 shkurt. Ai akuzohet nga SPAK për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Sipas SPAK, Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa ka krijuar një skemë korruptive për transferimin e fondeve nga Bashkia e Tiranës, apo kontraktorë të saj, në drejtim të një grupi OJF-sh apo personash fizikë, që, sipas SPAK, kontrolloheshin nga Xoxa. Kryebashkiaku Veliaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke pretenduar për një arrestim të padrejtë.
/rtsh.al/