RTSH 24 Live

Kosovë

Kërcënimi me jetë ndaj Kurtit, Rrustemi: Autoritetet e inteligjencës së Kosovës kishin informacione paraprake

12/02/2024

Kërcënimi me jetë ndaj Kurtit, Rrustemi: Autoritetet e inteligjencës së Kosovës kishin informacione paraprake

Kërcënimi me jetë i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka qenë në fokus të emisionit “Jetë Shqiptare”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka deklaruar se autoritetet e inteligjencës së Kosovës i kanë pasur informacionet paraprake mbi këto kërcënime dhe ka qenë ky shkaku se përse është evituar një sulm i mundshëm ndaj Kryeministrit Kurti.

Autoritetet e inteligjencës së Kosovës kanë pasur informacione paraprake dhe janë të informuara për rastin. Duket se ka pasur dëm serioz për një sulm ndaj kryeministrit Kurti, por që është evituar nga pasja e informacioneve paraprake nga autoritetet e shërbimit informativ të Kosovës e vendeve fqinje në rajon.

Kryeministri Kurti ka marrë në vazhdimësi kërcënime pavarësisht se nuk ndihet i kërcënuar dhe vazhdon aktivitetin e tij në mënyrë të palëkundur.

Informacionet janë relevante dhe ato trajtohen nga institucionet e sigurisë”, tha Rrustemi.

Ky i fundit ka shpjeguar edhe arsyen se përse mund t’i shërbejnë Serbisë këto kërcënime ndaj Kryeministrit. Në përfundim ai theksoi se Serbia po dështon çdo ditë e më shumë në Kosovë, në terrenin e brendshëm të saj.

Në rastin konkret pas mbledhjes së këshillit të sigurimit të OKB-së, nervozizmi i Serbisë zyrtare ka shtuar kërcënimin ndaj Albin Kurtit. Angazhimi i autoriteteve në veri të Kosovës, për të shtrirë ligjin, për të zbatuar kushtetutën, për të eliminuar strukturat ilegale dhe paralele që kanë shërbyer si dorë e shtrirë e Serbisë për të cenuar funksionalitetin e Kosovës, po e bëjnë gjithnjë e më agresive Serbinë. Serbia po dështon gjithnjë e më shumë në Kosovë, në terrenin e brendshëm dhe po bëjnë skenarë për të destabilizuar veriun e Kosovës”, theksoi ai.

/rtsh.al/