RTSH 24 Live

Aktualitet

KED drejt plotësimit të Gjykatës Kushtetuese

24/07/2021

KED drejt plotësimit të  Gjykatës Kushtetuese

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të mblidhet javën e fundit të korrikut për të diskutuar procedurën e plotësimit të 3 vendeve bosh në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, gjykata më e rëndësishme e vendit. 
Aktualisht për tre vende kanë shprehur interes 9 kandidate.
Dokumentacioni i tyre po kontrollohet nga relatorët e caktuar prej Këshillit të Emërimeve. 
Mbledhja e KED-së javën e ardhshme do të shqyrtojë ecurinë e procedurave të kandidimit për plotësimin e pozicioneve. Sipas Kushtetutës i takojnë Gjykatës së Lartë t'i emërojë. 
Të zgjedhurit e rinj do të zëvendësojnë përkatësisht Vitore Tushen, mandati i të cilës ka përfunduar dhe dy ish-gjyqtarët Fatmir Hoxha dhe Gani Dizdarin të shkarkuar nga sistemi i drejtësisë për shkak  të  kontrollit të “Vettingut”.  
Zgjedhja e tre anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese që pritet të ndodhë shumë shpejt, plotëson përfundimisht me 9 anëtarë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, e cila do të ketë më në fund numrin e plotë për të shqyrtuar dhe marrë çdo vendim. 
I vetmi institucion që mbetet prapa në plotësimin me anëtarë sipas Reformës në Drejtësi, është Gjykata e Lartë.