“Kandidimi i Belerit për eurodeputet nga partia Demokracia e Re në Greqi, është një çështje që i takon Greqisë”, kështu e ka komentuar kandidimin e Belerit, prefekti i Qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo, për mikrofonin e RTSH-së.
Por, sipas Tavos, në kushtet e vështira ku edhe ndodhet vetë Demokracia e Re, ky kandidim duket si një përpjekje e partisë për të tërhequr ekstremin e djathtë.
“Është çështje e partisë së Mitsotakis. S'ka lidhje me Prefektin e Vlorës dhe qeverinë shqiptare. Partia Nea Demokraci ka zgjedhur Belerin për të kandiduar. Mendoj se shfytëzojnë këtë moment për të afruar rreth vetes në këto momente të vështira të për Neo Demokracinë, sa më shumë pjesë të ekstremit të djathtë që mesa unë kam parë ishin larguar”, deklaroi Tavo.
Ky i fundit është ndalur edhe tek sezoni turistik, duke prekur çështjen dhe problematiken e zjarreve si dhe mungesën e logjistikës. Një problematikë që, sipas tij, pritet të marrë zgjidhje ndërsa është kërkuar nga të gjitha institucionet dhe aktorët apo përgjegjësit të merren masa konkrete për menaxhimin e zjarreve gjatë sezonit turistik.
“Logjistika e zjarrfikëseve qoftë e mjeteve zjarrfikëse dhe pjesa tjetër ndihmëse që operatorët duhet të kenë me vete. Ka dy momente, përsa i përket mjeteve zjarrfikëse është diskutuar gjatë me qeverinë dhe po mendohet se qeveria mendohet ta zgjidhë këtë problem në mënyrë të centralizuar. Pra, mbledhja e mjeteve moderne zjarrfikëse për sezonin e ardhshëm se nuk besoj të arrihet në këtë sezon. Dhe sa i përket logjistikës është një çështje që dhe vetë pushteti vendor përmes fondeve përkatëse mund ta zgjidhë duke përcaktuar që në fillim përcaktimin e një fondi të caktuar për logjistikë për zjarrfikësit që punojnë në terren. Vitin e ardhshëm besoj kjo situatë do jetë shumë më ndryshe nga sot.
Ka bashki në qarkun e Vlorës që kanë përcaktuar fonde nga të ardhurat e veta për mjete zjarrfikëse. Zgjidhja do vijë përfundimisht nga fondi që qeveria shqiptare ka përcaktuar për blerjen e mjeteve zjarrfikëse”, tha Tavo.
Referuar edhe problematikës së pronave, kryesisht në bregdet dhe Himarë, Tavo ka theksuar se janë zhvilluar disa takime ndërsa është kërkuar nga bashkia e Himarës apo edhe e Vlorës ne bashkëpunim me ASHK vendosja e një personi për të asistuar çdo qytetar që ka problematikë me pronat. Por sipas Tavos në muajin maj pritet të ketë rezultate konkrete referuar pronave.
“Është shqetësim edhe i kryeministrit çështja e pronave, është një problem i akumuluar në 34 vite. E rëndësishme është që për Vlorën, jam angazhuar që çështja e pronave të zgjidhet përfundimisht.
Kuptohet problemet janë komplekse në lidhje me pronat. Do merremi me pajisjen me certifikatë të gjitha banesave që nuk kanë probleme pronësie. Aty ku ka probleme mbivendosje, qytetarët ta zgjidhin me njëri-tjetrin dhe me një deklaratë në ASHK të zgjidhet problemi. Aty ku nuk gjendet gjuha e përbashkët t’i drejtohen gjykatës. U nis një proces dhe në fillim të muajit maj do kemi rezultatet e para të këtij procesi. U kam kërkuar bashkive, që një person në çdo bashki të jetë në zyrë për të ndihmuar pikërisht qytetarët që e kanë të pamundur të aplikojnë në E-Albania dhe të asistohen nga një person në çdo bashki”, tha Tavo.
Sakaq, prefekti i qarkut të Vlorës bëri me dije se nga data 1 qershor deri në 15 shtator do të dalë urdhër për të gjitha Bashkitë e qarkut që të ndërpritet çdo aktivitet ndërtimor nga ndërtuesit privatë.
“Ne kemi pasur një takim në Ministrinë e Turizmit ku ministrja ka kërkuar nga prefektët për mbarëvajtjen e sezonit turistik, të sensibilizohen operatorët e ndërtimit, të gjithë ndërtuesit, flas për privatët që deri në 1 qershor operatorët të punojnë deri të premten dhe nga e premtja deri të dielën të ketë ndërprerje të punimeve. Nga 1 qershori deri në 15 shtator do dalë urdhri nga të gjitha bashkitë e qarkut që të ndërpritet çdo aktivitet ndërtimor deri më 15 shtator për operatorët privatë. Për investimet publike, ato që kanë në proces për t'u zbatuar deri të premten mund të punojnë, por është e rëndësishme që infrastruktura e dëmtuar të jetë e rregulluar për mbarëvajtjen e sezonit”, tha Tavo.
/rtsh.al/