RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Kandidati i BDI për president, Bujar Osmani: Rusia nuk është miku ynë, për ne Dielli lind në Perëndim

10/03/2024

Kandidati i BDI për president, Bujar Osmani: Rusia nuk është miku ynë, për ne Dielli lind në Perëndim

Ministri i Jashtëm dhe njëherësh kandidat i BDI-së për President, Bujar Osmani në fjalimin e tij para të pranishmëve në Kale theksoi se populli shqiptar dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë të përcaktuar për BE dhe vlerat e familjes evropiane.

Ai thotë se si President i ardhshëm do të punojë që vendi të bëhet pjesë e BE-së.

“Por rruga nuk është e lehtë. Ardhmëria e vendit tonë është e kërcënuar edhe nga jashtë. Rusia nuk është miku ynë. Një nga interesat kryesore strategjike ruse është që Ballkani të mbetet jashtë BE-se dhe NATO-s. Por, në rrugën tonë e kemi zgjedhur që moti! Ne jemi shumë të qartë: për ne Dielli lind në Perëndim”, tha Osmani.

Osmani i kujtoi oponentët politikë se nuk duhet të harrojnë se kush janë miqtë e kush armiqtë e vendit, duke theksuar se pikërisht kjo është arsyeja pse ai ka hyrë në garë për të parin e shtetit.

“SHBA – BE – NATO… Këto fjalë duhet t’i përsërisim më shpesh, meqë dikush te ne po harron se kush janë miqtë e kush janë armiqtë tanë. Ne jemi këtu për t’ia kujtuar me vepra gjithsecilit se përcaktimi ynë është një dhe i pakthyeshëm: SHBA – BE – NATO…. Jo Rusisë, jo Kinës, jo Bjellorusisë! Vetëm kjo kauzë e shenjtë më ka shtyrë të paraqes kandidaturën për President i Republikës. Mbetem thellësisht i bindur se, së bashku, në një Maqedoni të bashkuar, kemi forcën dhe fuqinë për të ruajtur përcaktimet tona strategjike dhe për të ndërtuar një të ardhme që përkufizohet me shpresë, përparim dhe gjithëpërfshirje”, shtoi Osmani.

“Sot jam këtu para jush, i mbushur me ndjesinë e thelle te përgjegjësisë dhe të përkushtimit, duke ndjekur bindjen e tij largpamëse se asnjë post politik ne këtë shtet nuk është me i pamundur për ne, shqiptaret! Ne sot po vendosim për te bere një kapërcim tjetër te madh në udhën e realizimeve historike të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, tha ai!

Pas kryeparlamentarit shqiptar, pas kryeministrit shqiptar, vazhdon Osmani, jam këtu para jush për të nisur së bashku me plot krenari dhe besim rrugëtimin drejt pozitës më të lartë politike në shtet – President i Republikës! Kjo do të jetë fitorja më e madhe e popullit tonë, por do të jetë një fitore po kaq e madhe edhe për popujt e tjerë, më të cilët na lidh bashkëjetesa në Republikën tonë.

“E ardhmja jonë është vetëm në Bashkimin Evropian dhe këtë duhet t’ua sigurojmë qytetareve tanë. Por rruga nuk është e lehte. Ardhmëria e vendit tonë është e kërcënuar edhe nga jashtë. Rusia nuk është miku ynë. Një nga interesat kryesore strategjike ruse është që Ballkani të mbetet jashtë BE-se dhe NATO-s. Por, në rrugën tonë e kemi zgjedhur që moti! Ne jemi shumë të qartë: për ne Dielli lind në Perëndim. SHBA – BE – NATO…”vazhdon në fjalën e tij Osmani.

 

/rtsh.al/