RTSH 24 Live

Aktualitet

Ministria e Brendshme britanike publikon të dhënat, numri i emigrantëve shqiptarë, më i ulëti që nga janari i 2022

27/04/2024

Ministria e Brendshme britanike publikon të dhënat, numri i emigrantëve shqiptarë, më i ulëti që nga janari i 2022

Vetëm 20 shtetas shqiptarë raportohet të kenë kaluar me gomone Kanalin Anglez drejt Britanisë së Madhe në katër muajt e parë të këtij viti. Kjo sipas statistikave të publikuara së fundmi nga zyra e brendshme  britanike, ku vihet re një rënie e ndjeshme e numrit të shqiptarëve që kanë shkuar me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.

Në 2022 , 12658 shqiptarë hynë në territorin britanik duke kaluar Kanalin Anglez me gomone. Vitin pasues ndërkohë ky numër ra ndjeshëm në 504. Nga janari deri në prill 2024 me gomone në Britani kanë shkuar 20 shtetas shqiptarë, pra 95 përqind më pak se në 2022, ose 78 përqind më pak se vitin e shkuar. 

Muaji me numrin më të madh të shqiptarëve që kanë kaluar Kanalin Anglez me gomone drejt Britanisë së Madhe ishte gushti i vitit 2022, ku u regjistruan 4140 raste të tilla. Për rënien e ndejshme të numrit të shqiptarëve që hyjnë në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe mediat e huaja, si “Financial times”, thonë se shkak është marrëveshja e arritur mes Tiranës dhe Londrës për riatdhesimin e shqiptarëve.  Ndërkohë që edhe legjislacioni britanik për dërgimin e migrantëve pa dokumente në Ruanda, ku dhe do të përpunohen kërkesat e tyre për azil, duket   se po jep efektin e tij.

/rtsh.al/