RTSH 24 Live

Sociale

Kanceri i gjirit, Koçiu: Lehtësojmë depistimin për gratë gjatë gjithë vitit

2 orë para

Kanceri i gjirit, Koçiu: Lehtësojmë depistimin për gratë gjatë gjithë vitit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përmbyllur nëpërmjet një aktiviteti të veçantë fushatën “Ia vlen të jetosh” mbajtur përgjatë muajit tetor për të ndërgjegjësuar rreth parandalimit të kancerit të gjirit.

Ministrja Albana Koçiu, nga ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit, dëgjoi gra e vajza të cilat ndanë historitë personale se si ia dolën të fitojnë betejën me sëmundjen e kancerit të gjirit.

Në fjalën e saj znj. Koçiu theksoi se parandalimi në kohë është gjëja më e rëndësishme dhe nëse kjo sëmundje kapet herët, është 100 për qind e kurueshme.

Nëse do i referohesha statistikave, ne shikojmë që numri i diagnostikimeve nëpërmjet mamografive në një vit shkon rreth 25 mijë mamografi. Ndërkohë që vetëm në tetoret rozë, kryhen afro 12 mijë mamografi. Pra pothuajse gjysma bëhet në tetor dhe e gjithë kjo nga këto organizime dhe nga kjo referencë apo vëmendje që i kemi dhënë tetorit gjë që na bën të ndjehemi mirë që merr vëmendje por nga ana tjetër na bën të ndjehemi keq kur mendojmë që vetëm kur flasim, kujtohemi që duhet të bëjmë kujdes për shëndetin tonë,” u shpreh ministrja Koçiu.

Ministrja bëri të ditur lajmin se që çdo muaj i vitit do t’i dedikohet një qarku në Shqipëri ku gratë mund të kryejnë mamografi pa referimin e mjekut dhe me orare të zgjatura.

Kemi marrë angazhimin që mos të mos ngelemi vetëm në tetor me këto iniciativat e të qenit parën grave, por të jemi në çdo muaj të vitit. Dhe pikërisht MSHMS ka marrë angazhimin që në çdo muaj të vitit do t’i referohemi secilit qark të Shqipërisë duke mundësuar oraret e zgjatuara, nga ora 08:00 deri në 20:00 të darkës, mamografia dhe njësitë e lëvizshme do jenë në një qark gjatë gjithë muajit. Dhe ndërkohë do të heqim dhe sistemin e referimit duke bërë të mundur që çdo muaj t’i dedikohet një qarku, çdo muaj të jetë një tetor rozë për një qark të Shqipërisë,” deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Gjatë fushatës ndërgjegjësuese të tetorit rozë, 12.701 vajza dhe gra kanë kryer mamografi pranë spitaleve rajonale dhe në njësitë e lëvizshme të mundësuara nga ISHP në të gjithë vendin.

Gjithashtu, MSHMS ka mundësuar që për herë të parë nëpërmjet e-Albania çdo grua të njoftohet për kryerjen në kohë të mamografive dhe kryerjen e kontrolleve. Një tjetër risi ishte edhe ngritja e një njësie të dedikuar e përbërë nga mjekë radiologë të kualifikuar, e cila do të funksionojë në vijim gjatë të gjithë vitit për leximin dhe dhënien e përgjigjeve në kohë reale të mamografive.

/rtsh.al/