Kalaja e Porto-Palermos është kthyer tashmë në një monument kulture dhe atraksion turistik.
Ajo u ndërtua nga vetë Ali Pasha, si një dhuratë për një nga gratë e tij, të cilën sipas historianëve të kohës, Pashai i Janinës e kishte shumë për zemër.
Bukuria dhe madhështia e kësaj kalaje ka zënë vend në shumë libra kushtuar Ali Pashës.
Mirëmbajtësi i Kalasë, Aleksandër Dhrami, ka dhënë detaje në lidhje me të, duke thënë se kjo Kala me 12 dhoma, është përdorur në Luftën e Dytë Botërore dhe në kohën e komunizmit.
"Kjo është një ndër kalatë e Ali Pashë Tepelenës. Është në pikën më të bukur që ka Shqipëria dhe është goxha e vizitueshme. Nga viti i vjetshëm, sivjet jemi 52 për qind më mirë. Numri i vizitorëve ka ardhur duke u rritur. Ata që e vizitojnë gjejnë në katin e parë 12 dhoma. Më pas ngjiten në tarracën lart, që ka një pamje shumë panoramike dhe strategjike," thotë Dhrami.
Kjo kala është vlerësuar nga vizitorët si një vend interesant që mbart shumë histori.
Kalaja e Porto-Palermos ndodhet në gjirin me të njëjtin emër, në brigjet e detit Jon.
Kalaja është një nga sarajet e shumta të Ali Pashë Tepelenës, të cilën ai e ndërtoi në një pikë shumë strategjike.