RTSH 24 Live

Botë

Johnson dhe Macron bisedojnë për emigracionin e parregullt

25/11/2021

Johnson dhe Macron bisedojnë për emigracionin e parregullt

Kryeministri britanik Boris Johnson dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron pas përmbytjes së një varke në La Mansh ku humbën jetën të paktën 31 emigrantë të parregullt, ranë dakord për urgjencën e ndalimit të migracionit të parregullt.

Në një deklaratë nga Zyra kryeministrore Number 10 thuhet se liderët në një bisedë telefonike diskutuan emigracionin e parregullt.

Johnson dhe Macron ranë dakord për "urgjencën e përshpejtimit të përpjekjeve të përbashkëta për të parandaluar kalimet vdekjeprurëse dhe për të bërë çdo gjë të mundshme për parandalimin e bandave përgjegjëse që rrezikojnë jetët e njerëzve".

Për zgjidhjen në mënyrë efektive të problemit, liderët krahas Belgjikës dhe Holandës janë fokusuar mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me vendet e tjera në kontinent dhe kanë theksuar se "humbjet tragjike të jetëve" kanë treguar edhe një herë se mbartin rëndësi jetike që në tryezë të mbahen të gjitha alternativat për të ndaluar kalimet vdekjeprurëse dhe për t‘i dhënë goditje punëve të këtyre bandave.

- Humbën jetën 31 emigrantë

Të paktën 31 emigrantë të parregullt, përfshirë 5 gra dhe 1 vajzë humbën jetën si pasojë e përmbytjes së një varke që transportonte emigrantë të parregullt të cilët bënë përpjekje për të kaluar nga Franca në Britani nëpërmjet La Manshit.

Lidhur me ngjarjen janë arrestuar 4 persona. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në një deklaratë bëri thirrje që Bashkimi Evropian të zhvillojë takim urgjent lidhur me "problemin e migracionit".

Ai tha se duhet të forcohen menjëherë mundësitë e Agjencisë së Rojës Bregdetare dhe Kufirit të BE-së (Frontex). "Franca nuk do të lejojë që La Manshi të shndërrohet në varrezë", potencoi Macron./AA