RTSH 24 Live

Kulturë

Jeta e Fan Nolit në Amerikë - Libri i Ilir Ikonomit sjell figurën eminente të historisë shqiptare

19/04/2024

Jeta e Fan Nolit në Amerikë - Libri i Ilir Ikonomit sjell figurën eminente të historisë shqiptare

Famullia dhe Biblioteka “Zoja e Shkodrës” organizuan në sallën ‘Kardinal Mikel Koliqi”  takimin me studiuesin dhe ish-gazetarin, Ilir Ikonomi për prezantimin e librit më të ri “Fan Noli Apostulli”. Autori sjell jetën e Nolit në Amerikë nga viti 1906 deri më 1920. Ky është vëllimi i parë i Ikonomit ndërsa do ta pasojnë librin edhe dy vëllime të tjera.

“Është gjithë jeta e Fan Nolit dhe nuk është një libër por janë 3 vëllime nuk është një libër i vogël, kam botuar të parin që është nga viti 1906 kur erdhi Noli në Amerikë deri në vitin 1920 kur shkon drejt Evropës, drejt Shqipërisë por kam edhe shumë gjëra të tjera për të thënë dhe libri është në proces të dy vëllimeve të tjera”, tha autori i librit Ilir Ikonomi.

Autori Ikonomi ka bërë një punë intensive kërkimore në Arkivin e Shtetit.

“Të gjithë arkivin e shtetit që është në Tiranë e kopjova të gjithën dhe e çova në Amerikë”, tha autori.

Për figurën komplekse të Nolit, e pasqyruar në këtë vëllim të parë të Ikonomit folën para të pranishmëve edhe organizatorët e takimit.

“Ai petku i klerikut nuk është kurrë diçka e ndarë nga identiteti i tyre social dhe politik”, u shpreh Dom Vlash Palaj, Famullitar i Shkodrës.

“Fan Noli Apostull” është vëllimi i parë i botuar në Tiranë në vitin 2023”, tha Drejtori i bibliotekës “Zoja e Shkodrës”, Gjon Çuni.

Ilir Ikonomi është autor i disa librave, “Faik Konica, jeta në Washington” , “Pavarësia”, “Pushtimi” dhe “Esat Pashë Toptani, njeriu, lufta, pushteti”.

/RTSH/