Ditët e fundit të këtij viti shoqërohen me lëvizje të qytetarëve e mjeteve në të dyja anët e kufirit Shqipëri–Kosovë.
Një pjesë e qytetarëve të Kosovës, siç është një çift nga Prishtina, kanë zgjedhur Tiranën për të kaluar natën e ndërrimit të viteve.
"Po shkojmë për tri ditë pushime në Tiranë, për të ndryshuar pak vendin," thotë turisti.
Në Prishtinë e kanë kaluar Vitin e Ri për vite të tëra e këtë herë duan të provojnë atë çfarë ofron Tirana.
Shumë prej qytetarëve lëvizin edhe për punët e përditshme. Njëri prej tyre është nisur nga Tirana për blerjet e fundvitit në Prizren.
"Po shkoj nga Tirana të bëj pazar në Prizren. Ka gjëra më të lira, më bio, më të mira," thotë qytetari.
Nuk lënë pa përcjellë edhe urimet për Vitin e Ri.
Në këtë fillimjavë në pikën e përbashkët kufitare të Morinit, fluksi ka ardhur në rritje, kjo edhe për shkak të mbërritjes të emigrantëve kosovare që jetojnë e punojnë nga shtetet e Perëndimit.
Këto ditë policitë kufitare kanë punuar me procedurën e thjeshtëzuar të kalimit të kufirit pa kontrolle për mjetet me targa të Shqipërisë e Kosovës.
Fundjava është mbyllur me rreth 31 mijë qytetarë dhe 17 mijë automjete që kanë lëvizur në të dyja anët e kufirit.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/