Izraeli kreu dy sulme ajrore në një lagje në perëndim të kryeqytetit sirian, Damask, duke vrarë të paktën 15 persona dhe plagosur rreth 20 të tjerë.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur qendrat komanduese dhe shënjestrat infrastrukturore të grupit militant, Xhihadi Islamik, në Siri, dhe se kishte shkaktuar “dëme të mëdha ndaj qendrës komanduese të organizatës terroriste dhe operativëve të saj”.
Sulmet ajrore në Damask dhe në periferi të tij ndodhën pak para se Ali Larijani, këshilltari i liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, pritej të takohej në kryeqytetin sirian me përfaqësues të fraksioneve palestineze në Ambasadën iraniane në Mazzeh.
Teherani ka qenë mbështetësi kryesor i Qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Asad, që nga kryengritjet e vitit 2011 që u shndërruan në luftë civile dhe ka luajtur rol vendimtar në kthimin e situatës në favor të tij.
Teherani ka qenë gjithashtu burim ekonomik për Asadin, duke e ndihmuar me karburant dhe kredi me vlerë miliarda dollarë.
Gazetar: A.Mata
/rtsh.al/