RTSH 24 Live

Botë

Izraeli shpall sekretarin e përgjithshëm të OKB “person non grata”, i ndalon hyrjen në vend

6 orë para

Izraeli shpall sekretarin e përgjithshëm të OKB “person non grata”, i ndalon hyrjen në vend

Izraeli ka shpallur Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres “persona non grata”, si dhe i ka ndaluar hyrjen në vend.

Sipas Izraelit, Guterres do të mbahet mend “si një njollë në historinë e OKB-së”. Duke shpallur vendimin në mediat sociale, ministri i jashtëm i Izraelit, Israel Katz tha se:

“Sot, unë e kam shpallur sekretarin e përgjithshëm të OKB-së António Guterres si persona non grata në Izrael dhe e kam ndaluar hyrjen në vend. Kushdo që nuk mund të dënojë pa mëdyshje sulmin e urryer të Iranit ndaj Izraelit, siç e ka bërë pothuajse çdo vend në botë, nuk e meriton të shkelë në tokën izraelite.

Ky është një sekretar i përgjithshëm që ende nuk ka denoncuar masakrën dhe mizoritë seksuale të kryera nga vrasësit e Hamasit më 7 tetor, as nuk ka udhëhequr ndonjë përpjekje për t'i shpallur ata një organizatë terroriste.

Një sekretar i përgjithshëm që u jep mbështetje terroristëve, përdhunuesve dhe vrasësve nga Hamasi, Hezbollahu, Houthis dhe tani Irani – anija mëmë e terrorit global – do të mbahet mend si një njollë në historinë e OKB-së.

Izraeli do të vazhdojë të mbrojë qytetarët e tij dhe të ruajë dinjitetin e tij kombëtar, me ose pa António Guterres”, deklaroi Ministri i jashtëm izraelit teksa shpalli vendimin.

Në tetor 2023, Guterres tha se “Kam dënuar pa mëdyshje aktet e tmerrshme dhe të paprecedentë të terrorit të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael. Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjen, plagosjen dhe rrëmbimin e qëllimshëm të civilëve – apo lëshimin e raketave kundër objektivave civile. Të gjithë pengjet duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe të lirohen menjëherë dhe pa kushte”.

Megjithatë, ai zemëroi izraelitët duke thënë në të njëjtin fjalim se është e rëndësishme të pranohet gjithashtu se sulmet nga Hamasi nuk ndodhën në vakum. Populli palestinez, theksoi ai, i është nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet.

Guterres vijoi duke thënë se palestinezët “e kanë parë tokën e tyre të gllabëruar vazhdimisht nga vendbanimet dhe të rrënuar nga dhuna; ekonomia e tyre u mbyt; njerëzit e tyre të zhvendosur dhe shtëpitë e tyre të shkatërruara. Por ankesat e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit. Dhe këto sulme të tmerrshme nuk mund të justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez".

/rtsh.al/