Izraeli liroi të shtunën (8 shkurt) 183 të burgosur palestinezë, mes tyre edhe disa të dënuar për terrorizëm, pasi grupi Hamas liroi nga ana e vet tre individë të marrë peng që nga sulmi i 7 Tetorit 2023.
Ndër palestinezët e liruar ishin 18 persona të dënuar me burgim të përjetshëm për sulme vdekjeprurëse ndaj izraelitëve. Më i njohuri mes këtyre të burgosurve është Iyad Abu Shkeidem, një banor i Cisjordanisë (Bregut Perëndimor) dhe pjesëtar i Brigadës al-Kasam të Hamasit, i dënuar me 18 dënime përjetë për planifikimin e sulmit kamikaz të vitit 2004 në Birshebë, ku mbetën të vrarë 16 izraelitë dhe u plagosën 100 të tjerë.
Ndërkohë shumica, rreth 111 nga palestinezët e liruar në fundjavë, ishin kapur nga forcat izraelite përgjatë periudhës së luftës në Gazë dhe 72 të tjerët të arrestuar para inkursionit të Hamasit.
Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, u shpreh pas lirimit të tre izraelitëve - Eli Sharabi, Ohad Ben Ami dhe Or Levy - se megjithatë qëllimi i Tel-Avivit mbetet shkatërrimi i grupit palestinez Hamas. Ai theksoi se këtë mendim e ndante bashkë me presidentin amerikan, Donald Trump.
"Ne e kemi parë se çfarë monstrash janë të Hamasit. Janë të njëjtët monstra që masakruan qytetarët tanë dhe abuzuan me pengjet tona. Dhe ua them përsëri: gjaku do të jetë në kokën e tyre," u shpreh kryeministri me një videomesazh, ndërsa përsëriti qëndrimin e qeverisë së tij se do të bëjë gjithçka për të kthyer të gjitha pengjet e luftës.
Ushtria izraelite tha të shtunën se trupat e saj po veprojnë në Cisjordani për të shmangur paradat dhe festimet për lirimin e të burgosurve palestinezë.
Kryeministri Netanjahu raportohet se ka dërgua në Doha të Katarit një delegacion për fazën e dytë të armëpushimit me Hamasin. Faza e parë do të zgjasë 42 ditë dhe në këtë periudhë pritet të lirohen 33 fëmijë izraelitë, gra e të sëmurë në këmbim të gati 2 mijë palestinezëve të burgosur në Izrael. Në fazën e dytë parashikohet kthimi i të gjitha pengjeve izraelite dhe një marrëveshje për tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza, që do i paraprinte fundit të luftës. /TI, Sky
/rtsh.al/